Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian, ku një çift dhe vajza e tyre 5-vjeçare janë gjetur të pajetë në banesën e familjes, në zonën e Pietralatës.

Alarmi u dha mesditën e së hënës, më 31 gusht, pasi familjarët e Luca Abbassiano, 42 vjeç, dhe Valentina Pambianco, 41 vjeç, nuk kishin arritur të komunikonin me ta për disa orë. Pas njoftimit, policia dhe zjarrfikësit mbërritën në apartament dhe hapën me forcë derën.

Brenda banesës, në shtrat, u gjetën trupat e tre pjesëtarëve të familjes. Të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të vajzës së mitur, e pasuar nga vetëvrasja e dy prindërve. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet që çuan në ngjarjen tragjike.

Në banesë u gjetën edhe disa letra të shkruara nga çifti, të adresuara familjarëve dhe personave të afërt. Në to kishte kërkimfalje, shpjegime dhe porosi për të ardhmen. Në një prej mesazheve, Luca i kërkonte motrës së tij, e cila kishte ngritur alarmin për familjen, të kujdesej për babanë e tyre.

Ndërsa në një tjetër letër, çifti kishte shkruar: “Nuk mund ta bëjmë këtë vetëm.”

Sipas mediave italiane, vajza kishte lindur para kohe në vitin 2021 dhe përballej me probleme të shumta shëndetësore dhe aftësi të kufizuara. Fqinjët kanë deklaruar se prindërit ishin shumë të përkushtuar ndaj saj, por gjendja e rënduar shëndetësore e fëmijës kishte ndikuar ndjeshëm në jetën e familjes.

“E donin shumë këtë vajzë të vogël, por ajo kishte lindur me shumë probleme. Kishin frikë se nuk do të jetonte gjatë dhe e gjithë kjo i kishte lodhur shumë”, është shprehur një prej fqinjëve.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat që paraprinë tragjedinë.