Tri gra janë vrarë në Romë, kur një burrë hapi zjarr në një kafene. Gjithashtu katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
BBC shkruan se mes viktimave ishte edhe një mikeshë e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, e përshkroi ngjarjen si një “episod të rëndë dhune” dhe tha se do të merrte pjesë në një takim urgjent të hënën.
Gjithashtu është bërë e ditur se një i dyshuar, 57 vjeç, është në paraburgim për ngjarjen. Ai ka një histori mosmarrëveshjesh me disa nga bordi i komitetit, thonë raportet.
Luciana Ciorba, nënkryetarja e komitetit, ishte në kafenenë në lagjen Fidene, raporton gazeta italiane La Repubblica.
Ajo tha se personi i armatosur kishte hyrë në lokal të dielën duke bërtitur “Unë do t’ju vras të gjithëve” përpara se të përdorte pistoletën e tij.
Nga personat e plagosur, që besohet se janë dy gra dhe dy burra, njëri mbetet në gjendje të rëndë.
Nicoletta Golisano, një nga gratë e vrara është edhe mikesha e kryeministres Meloni. Emrat e grave të tjera të vdekura janë Elisabetta Silenzi dhe Sabina Sperandio.
“Nicoletta ishte një nënë mbrojtëse, një shoqe e sinqertë dhe e matur, një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Por mbi të gjitha ajo ishte një profesioniste me një ndjenjë detyre të jashtëzakonshme… Nikoletta ishte shoqja ime. Nuk është e drejtë të vdesësh kështu. Nicoletta ishte e lumtur dhe e bukur me fustanin e kuq që bleu për festën e ditëlindjes së saj të 50-të disa javë më parë. Për mua ajo do të jetë gjithmonë e bukur dhe e lumtur kështu”, shkruan Meloni.