Nicolina Giagheddu është nëna e Emanuele Ragnedda, që vrau 33-vjeçaren Cinzia Pinna. Ajo ka reaguar ashpër për ngjarjen e rëndë, duke thënë publikisht se nuk do t’a falë të birin dhe se ai ‘meriton ferrin’.
Deklarata e fortë e Nicolina-s u bë të mërkurën pasdite jashtë pronës familjare në Conca Entosa, ku hetuesit po kryenin një inspektim të ri.
“Nuk e njihja Cinzian, por kërkoj ndjesë”, u shpreh Giagheddu, e cila tregoi se kishte besuar te projekti i të birit në atë zonë, por tashmë e konsideron atë si gabimin e saj më të madh.
Nëna e autorit të krimit që tronditi Italinë, tha se nuk e ka vizituar djalin në burg dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë:
“Ai nuk mund të falet nëse e bëri vërtet këtë.”
Nëna e Emanuele shtoi se kishte ndjerë se ai “jetonte tepër” dhe se kishte paralajmëruar të tjerët, por pa sukses.
Në deklaratën më të dhimbshme, ajo kujtoi një moment me një fëmijë autik që i kishte thënë se Conca Entosa ishte “parajsë”.
“Ai e ktheu atë vend në ferr. Epo, atëherë ai meriton ferr”, vijoi më tej Nicolina Giagheddu.
Mediat italiane shkruajnë se Emanuele Ragnedda është vrasësi i vetërrëfyer i Cinzia Pinna-s, gruas 33-vjeçare që u zhduk më 11 shtator në Palau. Ai e qëlloi për vdekje dhe fshehu trupin e saj nën shkurret e vreshtarisë së tij 72-hektarëshe në Arzachena.
Sipas mediave vendase, Ragnedda kishte mashtruar për tre ditë me radhë, ndërkohë që trupi i Cinzia-s i braktisur në një fushë, dekompozohej me kalimin e kohës. Disa ditë më vonë ai rrëfeu krimin duke e justifikuar si akt vetëmbrojte.
Hetuesit kanë vendosur të marrin në pyetje edhe të dashurën e tij, pronaren e njërit prej klubeve më të njohura në San Pantaleo, në provincën e Olbias, në Gallura. Nga telefoni i saj celular, Ragnedda dyshohet se ka bërë disa telefonata në ditët pas vrasjes së Cinzia-s. Njëra prej tyre ishte drejtuar një kopshtari 26-vjeçar nga Milano, tashmë i përfshirë në hetime.
Ishte data 21 shtator, nëntë ditë pas zhdukjes së Cinzia-s. Ajo kishte mbërritur në Palau nga qyteti i saj i lindjes, për të kërkuar punë, ajo fillimisht punoi në një lokal, më pas u punësua në Hotelin Palau.
Babai i saj është një pronar i njohur restorantesh në Castelsardo, ku zotëron tre lokale.
Gjatë intervistës së parë, 41-vjeçari Ragnedda, pasardhës i një familjeje me traditë në prodhimin e verës deklaroi: “Nuk e njihja. Duhet ta kem parë për pak kohë”, ndërsa shtoi se ndjente keqardhje për çfarë kishte ndodhur.
Por, në të njëjtën kohë, karabinierët kishin tashmë prova të para, një video nga një kamerë sigurie tregonte momentin kur Cinzia hipte në makinën e Ragneddës.
Më 22 shtator, kur ishte tashmë nën hetim, Ragnedda dha versionin e tij të parë të ngjarjes, ku përfshinte edhe një kopshtar 26-vjeçar, i ardhur në Gallura për sezonin veror. Ai pretendoi se kopshtari e ndihmoi për të fshehur trupin e Cinzia-s, pas një mbrëmjeje që kishin kaluar të tre së bashku.
Më vonë, në një deklaratë tjetër, ai e mohoi këtë, duke thënë se “e bëra të gjithën vetë”.
Të dy burrat ishin njohur në një bar në San Pantaleo disa javë më parë dhe kishin kaluar disa mbrëmje bashkë me miq, madje edhe pas vrasjes së Cinzia-s.
Kopshtari mbetet nën hetim për fshehje trupi, ndërkohë që avokatët e tij kanë deklaruar se po shqyrtojmë mundësinë e kërkesës për një marrje në pyetje.
Versioni i fundit i Ragneddës përmend një thikë që mbante Cinzia dhe një plagë në krahun e tij, në përpjekje për të justifikuar vrasjen.
Cinzia u gjet gjysmë e zhveshur, pa pantallona dhe pa të brendshme. Po ashtu, mungonte edhe telefoni i saj celular. Kur gjyqtari e pyeti: “Ku janë?”, ai u përgjigj: “Nuk më kujtohet”.
Hetuesit dyshojnë se një ose më shumë bashkëpunëtorë e kanë ndihmuar të zhdukë rrobat dhe sendet personale të viktimës pas mbrëmjes fatale.