Detaje të reja po dalin në dritë rreth çështjeve të vrasjeve të aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, për të cilin akuzohet 22-vjeçari Tyler Robinson. Sipas raportimeve të mediave amerikane, Robinson bashkëjeton në një apartament me një person transgjinor që ndodh në procesin e tranzicionit gjinor nga mashkulli në femër.
Burime pranë hetimit kanë bërë të ditur se ky person po bashkëpunon plotësisht me autoritetet, duke dorëzuar edhe mesazhe të dërguara përmes platformës Discord, ku Robinson i tregonte vendndodhjen e armës së përdorur në krim, një zonë pyjore në afërsi.
FBI: “Mund të kishin marrëdhënie romantike”
Sipas burimeve nga FBI, të cituara nga Fox News Digital, Robinson dhe shoku i tij i apartamentit, Lance Twiggs, nuk ishin thjesht bashkëjetues, por kishin një marrëdhënie romantike. Twiggs nuk konsiderohet i përfshirë në vrasje dhe nuk është nën hetim penal, ndërsa vijon të bashkëpunojë me autoritetet.
Megjithatë, identiteti i saktë i Twiggs mbetet i paqartë, pasi emri i tij nuk është përmendur në dëshmitë zyrtare të deritanishme. Familjarët e tij nuk kanë konfirmuar nëse ai është personi transgjinor në fjalë, por një prej të afërmve e ka përshkruar atë si “djalin problematik të familjes”.
Nuk përjashtohet motivi politik apo gjinor
Ndërkohë që spekulimet për një motiv të mundshëm politik apo gjinor rreth vrasjes kanë qarkulluar në media, gjyshi i viktimës është shprehur se nuk dëshiron të komentojë mbi natyrën e marrëdhënies midis autorit dhe bashkëjetuesit të tij, duke shtuar: “Nuk jam i sigurt se çfarë ndodh me të në këtë moment.”
Sipas raportimeve të Daily Mail, Robinson dhe Twiggs ishin pjesë e një grupi të madh miqsh që komunikonin rregullisht në Discord, shumica prej të cilëve ishin të diplomuar në gjimnazin Pine View.