Vrasja e “Escobarit” tronditi Serbinë pak ditë më parë. Pas arrestimit të dy të dyshuarve kryesorë të ekzekutimit mafioz, një tjetër po dyshohet se është përfshirë në ngjarje. Një e mitur, 17 vjeç, dyshohet se po ashtu është e lidhur me ngjarjen e ekzekutimit.
Aktualisht ajo ndodhet në paraburgim, pasi dyshohet se akuzohet për “bashkëpunim për vrasje”.
Sipas mediave serbe, kjo vajzë është arrestuar dje së bashku me Stefan Z. (28 vjeç) dhe Luka V. (25vjeç) në një banesë me qira në Beogradin e Ri. Të tre, qëndronin në një banesë, brenda një “airbnb”. Mendohej se ata kishin zgjedhur një vend që të mos binin në sy, por edhe për të shpëtuar më lehtë nëse do të zbuloheshin. Por ndodhi e kundërta. Dje, gjatë një aksioni, janë kapur 2 prej të autorëve, madje njëri është nxjerrë nga Policia me pantofla ngjyrë rozë.
Radosheviç u vra më 9 mars kur u qëllua duke qenë i ulur në një kafene në pikën e karburantit në Rushnje. Dy të rinjtë e maskuar, të veshur me kapuç dhe maska kirurgjikale, u kapën nga kamerat e vëzhgimit. Ranko Radosheviç, i njohur ndryshe si “Escobar” dyshohet se ishte anëtar i klanit të Goran Mijatoviçit nga Bezhanija, i cili u likuidua në Beograd, dhe udhëheqës i klanit Nikshiç që bashkëpunonte me klanin Skaljar, në krye me Jovan Vukotiçin.
Radosheviç është vënë në kontakt me Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç, kur në posedim të tyre është gjetur një makinë e regjistruar në emrin e tij. Escobar shiste automjete dhe klientët e tij ishin njerëz nga “nëntoka”, të cilët pasi i dërgonin automjetet e zakonshme, merrenin mbrapsht “blindato”.