Publikimi i pamjeve nga kamerat trupore të policisë ka rikthyer në qendër të vëmendjes një vrasje që ka tronditur Britaninë e Madhe dhe ka nxitur protesta në disa qytete të vendit.
Viktima është 18-vjeçari Henry Nowak, i cili humbi jetën në dhjetor të vitit 2025 në Southampton, pasi u sulmua me thikë teksa po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë. Sipas hetimeve, i riu u godit disa herë me thikë nga 23-vjeçari Vickrum Digwa, duke pësuar plagë fatale në kraharor.
Pamjet e bëra publike së fundmi tregojnë momentet e para pas mbërritjes së policisë në vendngjarje. Edhe pse i plagosur rëndë, 18-vjeçari dëgjohet duke u thënë oficerëve: “Më kanë goditur me thikë” dhe “Nuk po marr frymë”. Megjithatë, efektivët e trajtuan fillimisht si të dyshuar dhe i vendosën prangat, pa kuptuar gjendjen kritike në të cilën ndodhej.
Pak minuta më vonë, i riu humbi ndjenjat dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Ndërkohë, autori i sulmit u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me të drejtë për të kërkuar lirim me kusht vetëm pas 21 vitesh. Gjykata hodhi poshtë pretendimet e tij se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Edhe nëna e tij u dënua për fshehjen e armës së përdorur në krim.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik britanik, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të pavarur për të shqyrtuar veprimet e policisë në momentet vendimtare pas sulmit. Edhe kryeministri britanik ka deklaruar se ekzistojnë pyetje serioze mbi mënyrën se si u menaxhua ngjarja nga forcat e rendit.
