Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja makabre e 13-vjeçarit britanik nga ish-partneri i nënës së tij, i cili pasi qëlloi për vdekje të miturin bëri edhe vetëvrasje.

13-vjeçari Alfie Hallett u përshkrua nga ekipi i tij i basketbollit si një anëtar i çmuar i komunitetit dhe u vlerësua për gjurmën e pashlyeshme që la tek të gjithë ata që e njohën. Ai u sulmua për vdekje me një mjet të mprehtë nga ish-partneri i nënës së tij, ndërsa ajo qëndronte e lidhur para syve të djalit të saj.

Sipas ‘The Sun’, nëna e Alfie-t, gjithashtu shtetase britanike dhe anëtare e Gardës Republikane Kombëtare të Portugalisë (GNR), u plagos, por mbijetoi dhe ndodhet nën kujdes mjekësor.

“Basketbolli ynë sot është më i varfër. Atleti ynë Alfie ndërroi jetë në moshën 13-vjeçare. Ai luajti ndeshjen e tij të fundit të shtunën dhe luajti aq mirë sa dukej sikur e dinte se ishte e fundit. Do të jesh gjithmonë në zemrat tona. Pusho në paqe,” thuhej në deklaratën e klubit.

Policia portugeze po vazhdon hetimet për rrethanat e ngjarjes. I dyshuari është identifikuar nga mediat lokale si 43-vjeçari Gonçalo Carvalho, i cili kishte një të kaluar kriminale dhe kishte vuajtur më parë një dënim të gjatë burgimi, me 15 vite për një tjetër vrasje që ai kishte kryer.

Sipas autoriteteve, nëna e Alfie-t e kishte denoncuar më herët ish-partnerin e saj për dhunë. Megjithëse çifti ishte ndarë zyrtarisht, ata ishin parë së bashku vetëm pak ditë para ngjarjes.

Policia Gjyqësore e Portugalisë konfirmoi se po heton vdekjen e adoleshentit dhe atë të autorit të dyshuar, duke shtuar se të dy kishin pësuar plagë nga mjet prerës. Autoritetet theksuan se familja kishte qenë më parë e njohur për rastet e raportuara të dhunës në familje gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Një oficer policie mbeti gjithashtu i plagosur gjatë ndërhyrjes dhe po merr trajtim mjekësor.

Fqinjë dhe banorë të zonës kanë shprehur ngushëllime për familjen, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe të dhimbshme për gjithë komunitetin.

Top Channel