Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Ann Widdecombe/ Policia beson se u sulmua 24 orë para se të gjendej e vdekur

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vdekjen e ish-ministres dhe ish-deputetes britanike Ann Widdecombe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Haytor, në Devon.

Sipas Policisë së Devonit dhe Kornuollit, 78-vjeçarja dyshohet se është sulmuar rreth 24 orë përpara se trupi i saj të zbulohej nga shërbimet e emergjencës. Hetuesit besojnë se sulmi ka ndodhur rreth mesditës së së mërkurës, ndërsa ajo u gjet e vdekur të enjten me plagë të rënda.

Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për identifikimin e autorit dhe aktualisht po kërkojnë një person të dyshuar, të përshkruar si një mashkull i bardhë. Policia ka bërë të ditur se hetimi po ecën me ritëm të shpejtë dhe se specialistët e mjekësisë ligjore vijojnë mbledhjen e provave në vendngjarje.

Ndërkohë, 26-vjeçari që ishte arrestuar fillimisht nën dyshimin për vrasjen e Widdecombe është liruar dhe nuk konsiderohet më pjesë e hetimit.

Sipas BBC-së, Widdecombe ishte planifikuar të merrte pjesë në një emision në Channel 5 të mërkurën, por stafi nuk arriti më të kontaktonte me të para intervistës. Ky fakt është bërë pjesë e hetimeve për të rindërtuar orët e fundit të jetës së saj.

Zona përreth banesës së saj mbetet e rrethuar nga policia, ndërsa hetuesit po analizojnë çdo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri tani, autoritetet kanë deklaruar se nuk ka indicie që krimi të ketë lidhje me terrorizmin apo me aktivitetin politik të ish-deputetes.