Agjentët federalë të emigracionit dislokuar në Minneapolis, Minnesota, do të fillojnë të përdorin kamera trupore, sipas një njoftimi nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS). Sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, theksoi se kjo masë do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të përfshijë çdo oficer të dislokuar në këtë qytet. Ajo gjithashtu njoftoi se programi mund të zgjerohet në nivel kombëtar pasi të sigurohet financimi i nevojshëm.
Ky vendim vjen pas një vale operacionesh federale në Minneapolis, që përfshiu vdekjen e dy qytetarëve amerikanë, Alex Pretti dhe Renee Good, muajin e kaluar. Pretti humbi jetën pas një përplasjeje me oficerët e zbatimit të ligjit, e cila rezultoi në plagë të shumta nga armë zjarri. Mjekësia ligjore e Qarkut Hennepin ka cilësuar vdekjen e tij si vrasje, ndërsa agjentët e përfshirë janë pezulluar nga detyra dhe janë nën hetim.
Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim për shkelje të të drejtave civile lidhur me këtë incident. Presidenti Donald Trump ka mbështetur përdorimin e kamerave trupore, duke thënë se ato ndihmojnë në sqarimin e ngjarjeve dhe shmangien e pretendimeve të rreme.
Pas ngjarjes, administrata Trump ka bërë disa ndryshime në drejtimin e operacioneve të emigracionit në Minneapolis, duke larguar shefin e patrullës kufitare dhe emëruar Tom Homan në vend të tij. Tensionet në qytet janë rritur, me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, dhe kryebashkiakun e Minneapolisit, Michael Frey, që kërkuan largimin e agjentëve federalë nga zona.
Për momentin, mbi 3,000 agjentë të emigracionit janë të dislokuar në Minnesota si pjesë e një operacioni të gjerë të iniciuar nga administrata Trump për të luftuar emigracionin e paligjshëm.
