Një anestezist në Francë akuzohet për helmimin e 30 pacientëve gjatë operacioneve, duke çuar në vdekjen e 12 prej tyre.
Në gjykatën e Besançon, në Francën lindore, Frédéric Pessier po përballet me më shumë se 150 paditës. Vendimi pritet të shpallet më 19 dhjetor.
Midis paditësve është Amadin Yellen, babai i të cilit, Damien, vdiq në vitin 2008 nga një atak në zemër gjatë një operacioni në veshka. Atij i ishte dhënë një dozë lidokaine dhjetë herë më e lartë se doza normale. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, Yellen, tani presidente e shoqatës së viktimave, u tha gazetarëve se “mezi pret të dëgjojë zërin e Dr. Pessier dhe të marrë përgjigje”.
Mjeku 53-vjeçar akuzohet për helmim të qëllimshëm të 30 pacientëve, të moshës 4 deri në 89 vjeç, midis viteve 2008 dhe 2017, në dy klinika private në Besançon. Pas një hetimi tetëvjeçar, ish-anestezisti u ul sot në bankën e të akuzuarve, dukshëm i stresuar dhe i shqetësuar. Dita e parë e gjyqit u kalua duke zgjedhur jurinë. Pessier gjithmonë ka mbajtur pafajësinë e tij. Nëse gjykata vendos ndryshe, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Mjeku nuk u la kurrë në paraburgim dhe në fakt, një gjykatë i lejoi atij të ushtronte profesionin e tij me kushte në vitin 2023, për sa kohë që nuk vinte në kontakt me pacientët. Megjithatë, ai nuk e ka ushtruar profesionin e mjekut që nga viti 2017.
Duke folur për radion RTL para fillimit të gjyqit, kur u pyet për vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre, Pessier u përgjigj: “E kuptoj plotësisht, por, nga ana tjetër, nuk jam përgjegjës për të.”
Një nga avokatët e tij, Randall Sverdorfer, tha se është “hera e parë” që i pandehuri do të jetë në gjendje të japë shpjegime dhe të “diskutojë gjithçka” pas tetë vitesh hetimi kundër tij dhe ndërsa “të gjithë e konsiderojnë fajtor”.
Sipas aktakuzës, Pessier injektoi substanca vdekjeprurëse në serumet e pacientëve që kolegët e tij i kishin operuar për të shkaktuar arrest kardiak. Ai shpesh ndihmonte në rikthimin e tyre në jetë. Sandra Simard, 36 vjeç, pësoi një arrest kardiak në janar 2017 ndërsa po i nënshtrohej një operacioni në klinikën Saint-Vincent. Një dozë vdekjeprurëse kaliumi u gjet në serumin e përdorur për anestezinë e saj. Gruaja mbijetoi.
Jean-Claude Gadon, 70 vjeç në atë kohë, është viktima e fundit e njohur. Edhe pse u helmua gjatë operacionit, ai gjithashtu mbijetoi.
Prokurori Etienne Madot tha së fundmi se ky është një rast “pa precedent në analet gjyqësore të Francës”, duke pretenduar se anestezisti po helmonte pacientët për të dëmtuar kolegët e tij me të cilët kishte hyrë në konflikt dhe më pas për të demonstruar aftësitë e tij duke i sjellë ata përsëri në jetë.