Burri që autoritetet amerikane e konsideronin si të dyshuarin kryesor në sulmin vdekjeprurës në Universitetin Brown, Claudio Valente, është gjetur i vdekur.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën e kaluar, ku 48-vjeçari vrau dy student dhe plagosi nëntë të tjerë.

Duke cituar burime policore dhe ligjore, CNN shkruan se shtetasi portugez kishte vrarë edhe një profesor të MIT pas ‘sulmit’ ndaj Brown. Emri i profesorit ishte Nuno Loureiro, dhe Calente kishte ndjekur të njëjtin program akademik me të në vendin e tyre.

I dyshuari, një shtetas portugez 48-vjeçar, “i mori jetën vetes sonte”, tha Shefi i Policisë së Providence, Oscar Perez, gjatë një konference për shtyp pesë ditë pas të shtënave.

Mediat e huaja shkruajnë se 48-vjeçari u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire, së bashku me një çantë postare, armë dhe prova të tjera që e lidhnin atë me krimin.

Si u identifikua autori i krimit

Rrjeti amerikan zbulon detaje se si autoritetet policore, në 24 orët e fundit, kishin rënë në gjurmët e Valentes. Sipas një deklarate të bërë publike, dy të dhëna të hershme rezultuan vendimtare në gjetjen e tij. E para erdhi nga një pastrues në Universitetin Brown, i cili u kishte thënë oficerëve se kishte vërejtur një person të dyshimtë në kampus që mbante një maskë kirurgjikale, veshja e të cilit përputhej me imazhet që policia kishte publikuar vazhdimisht. Siç thuhet në dokument, burri “ecte duke çaluar”.

Hetuesit më pas shqyrtuan pamjet e sigurisë së kampusit nga 1 dhjetori, ku ata identifikuan një person që përputhej me përshkrimin e përgjithshëm të të dyshuarit dhe informacionet e punonjësit.

Më vonë, Policia e Providence mori një informacion anonim që i referohej një postimi në Reddit. Përdoruesi raportoi se kishte parë autorin e dyshuar në zonë dhe i kërkoi autoriteteve të hetonin një Nissan me targa të Floridës, me shumë mundësi një makinë me qira. Mjeti ishte parkuar pranë një ndërtese të vogël pranë Shoqërisë Historike të Rhode Island.

Sipas deklaratës, përdoruesi i Reddit, të cilin autoritetet e përshkruajnë si “në afërsi” me personin e interesuar, më pas u dorëzua vullnetarisht në Policinë e Providence dhe bashkëpunoi me hetuesit.

Ndërsa po shqyrtonin pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë, oficerët vunë re një automjet të fshehur pjesërisht nga pemët, gjë që përputhej si me informacionin anonim ashtu edhe me hartën e mëparshme të lëvizjeve të të dyshuarit. Dokumenti thotë se makina ishte marrë me qira në emër të Claudio Valente.