Boksieri afgan Sharif Ahmadzai, 26 vjeç, është paraqitur këtë të mërkurë para gjykatës në Athinë, ku përballet me akuzat për vrasjen e britanikes Elisabeth-Jane Ross, 38 vjeç.

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, trupi i viktimës dyshohet se është vendosur në një valixhe dhe më pas është braktisur në një ndërtesë të pabanuar në zonën Kypseli të Athinës. Ahmadzai akuzohet gjithashtu se ka përvetësuar mijëra euro nga llogaritë bankare të Ross.

I shoqëruar nga forca të policisë, 26-vjeçari u paraqit në kompleksin gjyqësor të Evelpidonit, ku pritej të jepte versionin e tij për ngjarjen. Më herët, ai u kishte thënë hetuesve se e kishte gjetur Ross të vdekur në apartamentin ku ajo qëndronte dhe se më pas kishte transportuar trupin e saj.

Avokati i tij, Christos Erdas, kërkoi shtyrjen e seancës, duke pretenduar se materiali i dorëzuar nga prokuroria nuk ishte i plotë. Gjykata vendosi që Ahmadzai të rikthehet sërish para saj ditën e enjte në orën 11:00.

Sipas mediave britanike, Ahmadzai kishte mbërritur në Greqi në vitin 2016, pas një udhëtimi përmes Pakistanit, Iranit dhe Turqisë. Ai kishte deklaruar se ishte larguar nga Afganistani pasi familja e tij ishte vrarë nga talebanët.

Gjatë qëndrimit në kampin e emigrantëve në Moria, ai u njoh me Alaina Hall, një vullnetare amerikane nga Xhorxhia. Ahmadzai u konvertua në krishterim në vitin 2017 dhe çifti u martua në vitin 2023. Së bashku ata krijuan organizatën “Love Every Nation”, e cila ndihmonte refugjatët në Athinë.

Përveç angazhimit humanitar, Ahmadzai ishte edhe boksier profesionist. Në muajin mars ai fitoi titullin grek në kategorinë super të lehtë dhe zhvillonte aktivitete sportive për të mbledhur fonde për organizatën.

Sipas hetimeve paraprake, Elisabeth-Jane Ross kishte lidhje me çiftin përmes aktivitetit të organizatës dhe qëndronte në një apartament të lidhur me OJQ-në, ku dyshohet se Ahmadzai dhe bashkëshortja e tij kishin akses.