Gjykata e Kasacionit në Torino ka shpallur përfundimisht të pafajshëm Alex Cotoia, i riu që pesë vite më parë vrau të atin për të mbrojtur nënën e tij. Ngjarja ndodhi në vitin 2020, kur Cotoia goditi 34 herë me thikë babanë e tij, Giuseppe Pompa, gjatë një konflikti të dhunshëm familjar. Fillimisht ai ishte dënuar me 6 vite e 2 muaj burg, por vendimi është rrëzuar plotësisht nga Gjykata e Lartë.

Sipas vendimit përfundimtar, Cotoia veproi në vetëmbrojtje. Gjykata arriti në përfundimin se i riu nuk u shty nga “urrejtja, frustrimi apo zemërimi”, por se “ndërhyri për të mbrojtur veten dhe nënën e tij, derisa kuptoi se babai nuk përbënte më rrezik”.

Ngjarja ndodhi në apartamentin familjar në Collegno, provinca e Torinos, më 30 prill 2020. Hetimet zbuluan se klima në familje kishte qenë prej kohësh e tensionuar, për shkak të sjelljes së dhunshme dhe kontrolluese të Giuseppe Pompa-s, i përshkruar si “i dominuar nga xhelozia patologjike dhe dëshira për t’u imponuar të tjerëve”. Ajo mbrëmje, sipas dëshmive, ai ishte kapluar nga një “tërbim i pakontrollueshëm”.

Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se edhe nëse Alex kishte vepruar me bindjen e gabuar se babai do të armatosej me thikë, kishte elementë të mjaftueshëm për ta bërë atë të besonte se ndodhej në rrezik real për jetën. Prandaj, veprimi i tij u konsiderua si një akt i vetëmbrojtjes së ligjshme, duke çuar në lirimin e plotë nga të gjitha akuzat.