Një shtetas turk, 28 vjeç, është vënë në prangat e policisë greke, pasi dyshohet si autor i vrasjes së një bashkëkombësi të tij në zonën e Eksarkias në Athinë.

Krimi ndodhi më 13 qershor 2026 pranë kodrës së njohur “Strefi Hill”, ku viktima, 25 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri.

Sipas mediave greke dhe burimeve hetimore, i arrestuari dyshohet se kishte marrë rreth 18 mijë euro për kryerjen e atentatit, pagesë e cila pretendohet se është realizuar përmes një aplikacioni komunikimi.

Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari lëvizte vazhdimisht nga një banesë në tjetrën çdo pesë ditë, me qëllim shmangien e identifikimit dhe arrestimit nga autoritetet.

Përveç akuzës për vrasje, ai përballet edhe me akuza për shkelje të ligjit për narkotikët dhe qëndrim të paligjshëm në territorin grek.

Policia greke po vijon hetimet për të zbuluar personat që dyshohet se kanë porositur ekzekutimin.