Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Verona të Italisë, ku një infermier 35-vjeçar është arrestuar nën akuzën se ka shkaktuar vdekjen e bashkëshortes së tij përmes injektimit të insulinës. Hetuesit dyshojnë se veprimet e tij kanë qenë të qëllimshme dhe se pas krimit mund të fshihej edhe një motiv financiar.
I dyshuari është identifikuar si Nadir Rossi, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Jessica Dalla Chiara, 32 vjeçe, e cila gjithashtu punonte si infermiere.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet italiane, 35-vjeçari dyshohet se i ka administruar insulinë gruas fillimisht në banesën e tyre dhe më pas gjatë qëndrimit të saj në spital. Injektimet, të cilat nuk kishin asnjë justifikim mjekësor, dyshohet se shkaktuan episode të rënda hipoglicemie që përfunduan me vdekjen e 32-vjeçares më 24 qershor 2024.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me sigurimin e jetës së viktimës. Jessica kishte nënshkruar një policë sigurimi rreth dy vite përpara vdekjes, ndërsa pas ngjarjes bashkëshorti i saj kishte përfituar shumën e dëmshpërblimit.
Menjëherë pas humbjes së gruas, Rossi ishte shfaqur publikisht i pikëlluar, duke folur për dhimbjen e madhe dhe përkushtimin ndaj vajzës së tyre, Aurora.
Në një deklaratë të bërë në atë periudhë, ai kishte treguar se bashkëshortja i kishte lënë disa shënime dhe dëshira për të ardhmen.
“Ajo më tha se kishte shkruar kujtimet e saj. Mendova se po bënte shaka, por nuk ishte kështu. Dëshira e saj më e madhe ishte vajza jonë, Aurora. Më kërkoi të jetoja për të, frytin e dashurisë sonë. Kjo është ajo që do të bëj, edhe pse kam humbur dashurinë më të madhe të jetës sime”, ishte shprehur 35-vjeçari.
Por hetimet e zhvilluara pas vdekjes së Jessicës kanë ngritur dyshime serioze mbi rolin e tij në këtë ngjarje.
Sipas mediave italiane, Rossi kishte qenë i punësuar në kompleksin spitalor-universitar të Veronës, por ishte larguar nga detyra gjatë vitit të kaluar. Shkarkimi i tij nuk lidhej me hetimin për vdekjen e bashkëshortes, por me një procedurë disiplinore të brendshme, të cilën ai nuk e kundërshtoi në gjykatë.
Ndërkohë, në nëntor të vitit 2025, 35-vjeçari kishte tentuar t’i jepte fund jetës në ambientet e spitalit Borgo Roma.
Sipas policisë, ai dyshohet se kishte marrë nga kasaforta e repartit pesë ampula me një medikament që përmbante fentanil dhe dhjetë ampula morfine. Kolegët e gjetën pa ndjenja në dhomën e zhveshjes së burrave, me një kanulë intravenoze në krah.
Hetimet për vdekjen e bashkëshortes kishin nisur që në korrik të vitit 2024, pas një sinjalizimi të bërë nga vetë institucioni spitalor ku ajo ishte trajtuar.
Nga ekzaminimet mjekoligjore, specialistët konstatuan se krizat e përsëritura të hipoglicemisë që kishte pësuar Jessica nuk mund të shpjegoheshin me një shkak natyror. Dyshimet u përqendruan te mundësia e administrimit të insulinës nga një person tjetër, pa asnjë nevojë terapeutike.
Në zbardhjen e rrethanave ndikuan edhe deklaratat e prindërve të viktimës, të cilët kishin ngritur pikëpyetje që në momentet e para pas vdekjes së vajzës.
Ata kishin shprehur shqetësim veçanërisht për vendimin e dhëndrit që trupi i Jessicës të kremtohej menjëherë, një veprim që sipas hetuesve kërkonte verifikime të mëtejshme.
Një rol të rëndësishëm në hetim kanë luajtur edhe të dhënat e gjetura në telefonin e 35-vjeçarit.
Autoritetet zbuluan se ai kishte kryer kërkime të shumta në internet lidhur me efektet e insulinës, simptomat e hipoglicemisë së rëndë dhe mënyrat për të identifikuar një mbidozë përmes analizave toksikologjike.
Sipas hetuesve, këto kërkime kishin filluar që në prill të vitit 2024, disa javë përpara se bashkëshortja e tij të shfaqte problemet e para shëndetësore.
Ky fakt është konsideruar një element i rëndësishëm për të mbështetur dyshimet se vdekja e 32-vjeçares mund të ketë qenë rezultat i një veprimi të planifikuar.
Përveç akuzës për vrasje, Nadir Rossi po hetohet edhe për tentativë të rënduar vrasjeje, shkatërrim dhe zhdukje të kufomës përmes kremimit të dyshuar si mashtrues, mashtrim me sigurimet dhe përvetësim të vazhdueshëm të medikamenteve.
Autoritetet italiane vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të çështjes, ndërsa 35-vjeçari mbetet nën hetim. Akuzat ndaj tij ende nuk janë provuar me një vendim gjyqësor përfundimtar dhe përgjegjësia penale do të përcaktohet nga drejtësia.
