Autoritetet greke kanë arrestuar një 34-vjeçar afgan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së një bashkëkombasi të tij në ishullin e Parosit në tetor të vitit 2025.
Arrestimi u bë i mundur pas një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve greke dhe atyre të Bosnjë-Hercegovinës, ku i dyshuari ishte lokalizuar pas arratisjes.
Ngjarja që tronditi komunitetin lokal ndodhi në zonën e Naoussës, ku viktima, një 44-vjeçar që punonte si elektricist, u gjet i pajetë në banesën e tij. Ai ishte shpallur i humbur nga punëdhënësi pasi nuk ishte paraqitur në një angazhim të planifikuar pune.
Sipas hetimeve, viktima kishte pësuar plagë të shumta me mjet prerës, ndërsa ekspertiza paraprake sugjeroi se sulmi kishte ndodhur brenda banesës, pa shenja hyrjeje me forcë, çka ngriti dyshimet se autori kishte njohje me të.
Pas grumbullimit të provave, policia identifikoi 34-vjeçarin si të dyshuarin kryesor dhe ndaj tij u lëshua një urdhër kërkimi ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se dy shtetas të tjerë afganë kanë ndihmuar të dyshuarin, si në lëvizjen drejt banesës së viktimës ashtu edhe në largimin e tij nga ishulli menjëherë pas krimit.
Pas ekstradimit në Greqi, 34-vjeçari pritet të dalë para autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
