Të tjera detaje janë zbardhur nga sulmi i armatosur në një shkollë në periferi të Bangkokut, Tajlandë, ku humbën jetën disa persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas autoriteteve tajlandeze, nxënësi 14-vjeçar dyshohet se vrau fillimisht gjyshërit e tij në banesën ku jetonin, përpara se të shkonte në shkollë dhe të hapte zjarr ndaj stafit pedagogjik.
Ministri i Shëndetit Publik bëri të ditur se gjyshërit e të miturit u gjetën të pajetë në shtëpi, ndërsa policia dyshon se arma e përdorur në sulm, një pistoletë 9 mm, i përkiste gjyshit të tij, i cili kishte qenë mësues.
Fillimisht autoritetet raportuan për gjashtë viktima në shkollë, por më pas bilanci u korrigjua, duke sqaruar se në institucion humbën jetën katër persona, të gjithë mësues. Autori gjithashtu ndërroi jetë pasi qëlloi veten dhe u gjet pa shenja jete gjatë transportit për në spital.
Zëvendësministri i Brendshëm i Tajlandës, Polapee Suwanchawee, tha se gjatë hetimeve në banesën e 14-vjeçarit janë gjetur prova që tregojnë se ai ishte i apasionuar pas video-lojërave.
Megjithatë, një mësues i shkollës ku ndodhi ngjarja deklaroi se nxënësi njihej si “një fëmijë i mirë me rezultate të mira në mësime” dhe se nuk kishte shfaqur më parë sjellje agresive.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e sulmit dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Tajlandë.
