Një vit pas tragjedisë familjare që tronditi Paupisin, drejtësia italiane ka dhënë vendimin për Salvatore Oconen. 59-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Elisa, dhe djalit të tyre 15-vjeçar, Cosimo.

Vendimi u shpall më 30 shtator 2026, pikërisht një vit pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në provincën e Beneventos. Gjykata e shpalli Oconen fajtor edhe për sulmin ndaj vajzës së tij, e cila arriti të mbijetonte pavarësisht plagëve të rënda.

Trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorit të Beneventos, Nicola D’Angelo, duke vendosur ndaj 59-vjeçarit dënimin maksimal.

Ngjarja daton më 30 shtator 2025. Sipas hetimeve, gjithçka nisi brenda banesës së familjes, ku Ocone sulmoi bashkëshorten 49-vjeçare. Gruaja u godit rëndë në kokë me një gur dhe humbi jetën.

Dhuna më pas u drejtua ndaj dy fëmijëve të çiftit. Pas sulmit, Ocone i vendosi ata në automjet dhe u largua nga Paupisi.

Kërkimet për të vazhduan deri ditën pasardhëse, kur autoritetet e lokalizuan rreth 70 kilometra larg vendit të krimit. Ai u gjet në një ullishte në zonën e Ferrazzanos, në provincën e Campobassos.

Brenda automjetit policia gjeti dy fëmijët. Për 15-vjeçarin Cosimo ishte tepër vonë, pasi ai kishte humbur jetën. Motra e tij, në atë kohë 16 vjeçe, ishte ende gjallë, por kishte pësuar dëmtime të rënda, përfshirë një frakturë në kafkë.

Pas arrestimit, Ocone pranoi përgjegjësinë për krimin dhe u transferua në burgun e Campobassos. Ndaj tij u ngritën akuza për vrasje të dyfishtë të rënduar, tentativë vrasjeje dhe rrëmbim personi.

Procesi gjyqësor u mbyll një vit më vonë me dënimin e tij me burgim të përjetshëm.