Një tjetër ngjarje e rëndë ka pasuar krimin brutal brenda familjes, të ndodhur sot në Itali, ku burri vrau me gur bashkëshorten.

Sipas mediave italiane, autori ka vrarë dhe djalin e mitur dhe ka plagosur vajzën, me të cilët u arratis pas krimit të parë. Salvatore Ocone, një punëtor 58-vjeçar, dyshohet se ka vrarë gruan e tij, Elisa Polcino, duke e goditur disa herë me gur në kokë dhe fytyrë. Gruaja 49-vjeçare ka ndërruar jetë në vend, si pasojë e plagëve të marra.

Tashmë, dyshohet se edhe djali 15-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa vajza 16-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Sipas të dhënave të para nga hetimet, Ocone ka përdorur një gur dhe një shishe qelqi për të sulmuar fëmijët gjatë arratisjes, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, konflikti mes bashkëshortëve ka shpërthyer papritur në orët e para të së martës, në shtëpinë familjare. Burime lokale bëjnë me dije se çifti njihej për marrëdhëniet e tensionuara dhe debatet e shpeshta, të cilat në disa raste kishin tërhequr edhe vëmendjen e fqinjëve. Edhe pse motivi i saktë mbetet ende i paqartë, dyshohet se krimi ka qenë rezultat i problemeve të vazhdueshme familjare.