Një influencuere dhe TikTok-ere nga Britania e Madhe është përballur me akuza për vrasje në Dubai, në një çështje që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Sipas organizatave që merren me mbrojtjen e shtetasve të huaj në Emiratet e Bashkuara Arabe, 23-vjeçarja rrezikon edhe dënimin me vdekje nëse shpallet fajtore.

Brooke George, nga Gravesend në Kent, akuzohet se ka vrarë me thikë një 26-vjeçar britanik në apartamentin e tij në Dubai. Sipas mediave britanike, viktima është identifikuar si William Treeby, gjithashtu me origjinë nga Kenti.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes dy të rinjve, të cilët ishin njohur përmes rrjetit social Facebook. Organizata “Detained in Dubai”, që po ndjek rastin, pretendon se e reja ka vepruar në vetëmbrojtje pasi ishte sulmuar fizikisht.

Sipas drejtueses së organizatës, Radha Stirling, Brooke George është goditur me grushte gjatë incidentit dhe ka përdorur një thikë kuzhine në përpjekje për t’u mbrojtur.

“Ajo duhet të trajtohet si një e mbijetuar e dhunës në familje ndërsa autoritetet zhvillojnë hetimet dhe sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes”, deklaroi Stirling.

Familja e të resë pretendon se marrëdhënia mes saj dhe viktimës kishte nisur fillimisht në mënyrë normale, por më vonë ishte kthyer në një situatë kontrolli dhe abuzimi. Sipas tyre, burri i kishte marrë pasaportën dhe e kishte penguar të largohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u kthyer në Britani.

Autoritetet e Dubait e arrestuan Brooke George ndërsa po përpiqej të hipte në një avion me destinacion Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht ajo mbahet në paraburgim në stacionin policor Bur Dubai, ndërsa avokatët dhe organizatat që po e mbështesin kërkojnë lirimin e saj me kusht deri në përfundimin e hetimeve.

Ndërkohë, familja e William Treeby ka reaguar publikisht pas humbjes së të riut. Në mesazhet e publikuara në rrjetet sociale, të afërmit e tij e kanë përshkruar vdekjen si një tragjedi që i ka lënë të shkatërruar emocionalisht.

“Ai nuk ishte vetëm vëllai im, por edhe shoku im më i mirë. Të dua përgjithmonë, Bill”, shkroi motra e tij në një dedikim prekës.

Rasti pritet të shqyrtohet nga autoritetet gjyqësore të Dubait, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse pretendimet për vetëmbrojtje do të merren parasysh në procesin që mund të vendosë fatin e 23-vjeçares britanike.