52-vjeçari Gianluca Soncin, i akuzuar për vrasjen e 29-vjeçares Pamela Genini në Milano, ka kërkuar falje gjatë seancës gjyqësore, por fjalët e tij janë kundërshtuar ashpër nga familjarët e viktimës.

Përpara nisjes së dëshmive, Soncin kërkoi të bënte një deklaratë spontane. Ai iu drejtua familjes së Pamelës duke shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur.

“Mes kësaj dhimbjeje të madhe dhe trishtimit të thellë, i kërkoj falje familjes së Pamelës. Që nga ajo ditë, jetët tona kanë ndryshuar thellësisht”, deklaroi 52-vjeçari.

Soncin tha gjithashtu se është i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tij dhe se falja nuk mund të kërkohet me detyrim.

“E di që falja nuk mund të pretendohet. E kuptoj peshën e veprimeve të mia dhe kujtimi i Pamelës do të mbetet i pashlyeshëm. Më mbetet vetëm të përballem deri në fund me pasojat e dhimbjes që kam shkaktuar”, u shpreh ai.

Por deklarata e të akuzuarit shkaktoi reagim të menjëhershëm nga avokati Nicodemo Gentile, përfaqësues ligjor i nënës së Pamela Geninit. Ai i cilësoi fjalët e Soncinit si të vonuara dhe pa vlerë.

Sipas Gentiles, bëhet fjalë për “fjalë prej plastike, pa kuptim, që nuk ndryshojnë asgjë”.

“Ai duhej t’i pranonte faljet që Pamela i kërkonte kur ai e tërhiqte zvarrë nga flokët drejt ballkonit dhe ajo i lutej të mos e vriste. Aty duhej të ndalej”, deklaroi avokati gjatë pushimit të seancës.

Pamela Genini u vra më 14 tetor të vitit të kaluar në apartamentin e saj në rrugën Iglesias, në Milano. Sipas akuzës, Soncin e goditi me thikë ndërsa forcat e policisë po përpiqeshin të hynin në banesë.

Procesi gjyqësor ndaj 52-vjeçarit vijon në Itali, ku gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarët dhe të shqyrtojë provat e mbledhura për vrasjen që tronditi Milanon.