Një hap historik është shënuar ditën e sotme në Britaninë e Madhe, ku njerëzit mundën të shihnin dhënien e një dënimi në një gjyq të transmetuar në ekranet e televizionit.

Lëvizja historike ishte miratuar që prej vitit 2020, por pandemia bëri që zbatimi i tij të vonohej, për t’u arritur vetëm tani.

Gjyqtarja  Sarah Munro dha sot dënimin me 10 vjet burg për Ben Oliver, një 25-vjeçar pedofil, i akuzuar për vrasjen makabre të gjyshit të tij 74-vjeçar.

Oliver vrau gjyshin e tij, pasi zbuloi se ai kishte abuzuar seksualisht me disa vajza të familjes. 25-vjeçari vetë ishte pedofil, ndërsa kishte qenë dhe në burg pasi ishte dënuar për veprime seksuale dhe ngacmim ndaj një 15-vjeçareje kur ishte 20 vjeç.

Ai ka çregullime të spektrit autik, ndërsa ka pasur dhe histori abuzimi seksual në fëmijërinë e tij.

Hetuesit deklaruan se ai kishte pësuar një krizë kur kishte zbuluar se gjyshi i tij kishte abuzuar me vajzat dhe kishte marrë një thikë nga kuzhina, duke e goditur atë dhe më pas i kishte shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.