Autoritetet meksikane të sigurisë kanë njoftuar eliminimin e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur me nofkën “El Mencho”, themelues dhe drejtues i kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë.

Konfirmimi i lajmit erdhi pas disa orësh trazirash dhe operacionesh të intensifikuara ushtarake në shtetin e Jalisco-s, ku forcat e armatosura ndërmorën ndërhyrje në shkallë të gjerë.

Nemesio Oseguera Cervantes, i lindur në vitin 1966, ishte objekt i akuzave të rënda si nga autoritetet meksikane, ashtu edhe nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, për trafik ndërkombëtar droge dhe drejtim të një rrjeti të strukturuar kriminal. Ai figuronte në listën e personave më të kërkuar nga SHBA, me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Sipas Drug Enforcement Administration (DEA), CJNG konsiderohej një nga kartelët më të organizuar dhe më të armatosur, i njohur për përdorimin e taktikave paramilitare, armatimeve të rënda dhe strategjive të sofistikuara të propagandës për të zgjeruar ndikimin e tij.

Zyrtarë të DEA-s kanë deklaruar më herët se grupi kishte krijuar rrugë trafiku në disa kontinente dhe kishte konsoliduar një prani të fortë në qytete kyçe amerikane, përfshirë Çikagon. Sipas vlerësimeve të autoriteteve amerikane, organizata ishte e përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës, metamfetaminës dhe fentanilit drejt Shteteve të Bashkuara.

Vdekja e liderit të CJNG pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat e brendshme të botës së krimit në Meksikë, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.