Një krim i rëndë ka shkaktuar tronditje në Meksikë, pasi katër persona të së njëjtës familje dhe rrethit të saj u gjetën të vrarë brenda një apartamenti në Atizapán, në periferi të Qytetit të Meksikos. Mes viktimave është edhe Jonathan Melendez, muzikant dhe një prej themeluesve të grupit Camilo Séptimo.

Së bashku me Melendez humbën jetën bashkëshortja e tij, e cila ishte shtatzënë, vajza vetëm 3 vjeçe dhe një grua që punonte si ndihmëse shtëpie për familjen.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, trupat u zbuluan brenda banesës së familjes në kompleksin rezidencial Grand Viure, në zonën Bosque Esmeralda. Melendez dhe bashkëshortja e tij dyshohet se ishin lidhur përpara se të qëlloheshin. E vrarë u gjet edhe vajza e vogël e çiftit, ndërsa viktima e katërt kishte një plagë me armë zjarri në shpinë.

Autoritetet meksikane kanë nisur hetimet për të zbardhur motivin dhe dinamikën e krimit. Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa një prej pistave që po verifikohet është ajo e një grabitjeje që mund të ketë përfunduar me vrasjen e katër personave.

Mes skenës së rëndë, policia gjeti të gjallë fëmijën tjetër të çiftit. Djali 6-vjeçar ndodhej brenda apartamentit, por nuk kishte shenja të dukshme dhune apo dëmtime fizike.

Mbetet ende mister për hetuesit se përse fëmija është kursyer nga autorët, ndërkohë që prindërit dhe motra e tij 3-vjeçare u vranë.

Brenda pronës u gjet i ngordhur edhe qeni i familjes, i cili sipas të dhënave paraprake ishte lidhur.

Prokuroria po punon gjithashtu për të rindërtuar minutë pas minute ngjarjen. Dyshohet se vrasjet janë kryer të martën, në një hark kohor nga ora 17:30 deri rreth orës 19:40. Policia u sinjalizua dhe mbërriti në vendngjarje disa orë më vonë, rreth orës 23:50.

Vrasja e Jonathan Melendez dhe familjarëve të tij ka marrë vëmendje të madhe në Meksikë, jo vetëm për brutalitetin e krimit, por edhe për faktin se mes viktimave ndodhen një fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Ngjarja rikthen njëkohësisht vëmendjen te problemi i dhunës së rëndë në vend. Sipas të dhënave të organizatës Causa en Común të cituara në raportimet për rastin, nga janari i vitit 2020 deri në mars 2026 janë dokumentuar 3,036 episode të klasifikuara si vrasje masive, ndërsa 60 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026.

Hetimet për masakrën në Atizapán vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë nëse grabitja ishte motivi i krimit apo nëse pas vrasjeve fshihet një tjetër shkak.