Një ngjarje e rëndë ka tronditur Qipron mëngjesin e së premtes, pasi biznesmeni Stavros Demosthenous, president i klubit të futbollit Karmiotissa, u vra në mënyrë mafioze në Limasol.
Sipas informacioneve paraprake, autorët ishin në dijeni të lëvizjeve të tij dhe e pritën në momentin që ai ndodhej në automjetin e vet. Ata iu afruan dhe hapën zjarr me breshëri, duke e lënë të vdekur në vend. Pasi u siguruan për vdekjen e tij, u larguan menjëherë në drejtim të panjohur.
Pak më vonë, policia gjeti një makinë të djegur në një zonë tjetër të Limasolit, e cila dyshohet se ishte përdorur nga atentatorët dhe më pas ishte shkatërruar për të fshirë çdo gjurmë.
Hetimet e para sugjerojnë se bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëorganizuar, të kryer ndoshta nga vrasës me pagesë. Autoritetet po shqyrtojnë pistën që ngjarja të jetë e lidhur me aktivitetet e basteve dhe trukimin e ndeshjeve, pasi klubi Karmiotissa ka qenë disa herë nën hetim nga UEFA për parregullsi të tilla.