Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, rreth raporteve mes dy shteteve, integrimeve evropiane dhe “agjendës ndërkombëtare në periudhën e ardhshme”.
“U pajtuam që ekziston hapësirë për mbështetje reciproke, mbi të cilën do të vazhdojmë të punojmë së bashku”, shkroi Vuçiç në Instagram, pa dhënë detaje të tjera për këtë çështje.
Ai shtoi se me Zelenskyn u pajtuan që të mbajnë kanale të hapura komunikimi edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në X se bisedoi me Vuçiçin edhe për mundësitë e bashkëpunimit në sigurinë rajonale.
“Vendet tona e ndajnë këtë interes dhe do të punojmë mbi të. Rishikuam agjendën ndërkombëtare për të ardhmen e afërt dhe u pajtuam që të qëndrojmë në kontakt dhe të vazhdojmë koordinimin”, shkroi Zelensky.
Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, por Beogradi ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës.
Serbia ka dërguar disa herë ndihma humanitare për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarisht, Beogradi ka mohuar disa herë se Serbia eksporton drejtpërdrejt armë në Ukrainë, duke vlerësuar se “nuk mund të ndikojë nëse armët serbe nga vende të treta përfundojnë në frontin ukrainas”.
