Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ndryshuar parashikimin e tij lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vetëm rreth dy javë më parë, Vuçiç deklaronte se Thaçi mund të shpallej i pafajshëm për akuzat kryesore dhe se çdo dënim eventual do të ishte i barabartë me kohën e kaluar në paraburgim.

Por pas vizitës së fundit në Paris, kreu i shtetit serb tha se ka marrë sinjale të tjera nga disa liderë evropianë dhe botërorë, duke ndryshuar pritshmëritë e tij.

“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit. Tani, kur isha në Paris dhe bisedova me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, deklaroi Vuçiç.

Ai u shpreh kështu vetëm pak ditë përpara shpalljes së vendimit, duke lënë të hapur mundësinë që Thaçi të përballet me një dënim të rëndë.

Vuçiç komentoi gjithashtu protestat e zhvilluara të shtunën në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si “rapsodi të nacionalizmit dhe urrejtjes ndaj serbëve”.

Ndërkohë, më herët presidenti serb kishte parashikuar pafajësi për akuzat që lidhen me viktimat serbe dhe një dënim të mundshëm që do të mbulonte periudhën e paraburgimit.