Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen e listës së tij në zgjedhjet parlamentare, duke deklaruar se, sipas rezultateve paraprake të bazuara në një kampion votash, lista e mbështetur nga studentët dhe bllokuesit kryeson garën.

Në një prononcim për qytetarët, Vuçiç tha se lista e studentëve pritet të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në parlament, ndërsa lista e tij rreth 105 mandate. Ai theksoi se këto të dhëna nuk janë rezultate përfundimtare.

“Dua t’ju informoj se, bazuar në kampionin e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje. Lista e studentëve-bllokues do të ketë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne kemi rreth 105”, deklaroi Vuçiç.

Ai shtoi se, sipas përllogaritjeve të paraqitura prej tij, lista e studentëve ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa lista e tij rreth 1.72 milionë. Vuçiç nënvizoi se bëhet fjalë për të dhëna paraprake dhe se rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur.

Sipas deklaratës së tij, në parlament pritet të përfaqësohen edhe partitë e pakicave, përfshirë përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës me tre mandate dhe shqiptarët me një mandat.

Zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi u zhvilluan mes partisë së drejtuar nga Vuçiç dhe lëvizjes studentore, e cila është kthyer në një sfidë të rëndësishme politike pas protestave kundër korrupsionit. Votuesit zgjodhën mes 18 listave për 250 vende në parlament./ REL