Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar këtë të enjte me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Soçi.

Dy udheheqesit do të bisedojnë rreth temave kryesore politike, bashkëpunimit tregtar dhe çmimin e gazit. Në këtë takim pritet të diskutohet gjithashtu për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdheniet e Serbisë me Kosovën.

Kjo eshte hera e 19-të qe presidenti serb takohet me homologun rus. Për herë të fundit ata biseduan në qershor të 2020 në kuadër të një parade ushtarake në Moskë.

Moska dhe Beogradi do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për kushtet e marrëveshjes së re të furnizimit me gaz, tha presidenti rus Vladimir Putin në një takim me homologun serb Aleksandar Vuçiç.

“Mendoj se do të pajtohemi, do t’u besojmë subjekteve ekonomike që ta përfundojnë punën. Ne do të gjejmë një zgjidhje të tillë, e cila do të jetë e pranueshme për partnerët tanë serbë”, tha Putin në fillim të takimit me presidentin serb në rezidencën Bocharov Rucej në Soçi.

Putin shtoi se kryeministrja serbe Ana Brnabic pritet të vizitojë Rusinë në dhjetor. Presidenti rus vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë duke u zhvilluar, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit. Sipas Putinit, bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën kundër virusit korona po zhvillohet pozitivisht.

“Kam kënaqësinë të them se jo vetëm që kemi arritur dërgimin e vaksinës ‘Sputnik Ve’, por është organizuar edhe prodhimi në Beograd, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë dhe vendet përreth në të cilat mund të eksportohet. “Ky është një moment jashtëzakonisht pozitiv i bashkëpunimit tonë, i cili gjithashtu flet për besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të thellë”, theksoi presidenti rus.

Kreu rus vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, duke kujtuar se rregullisht mbahen stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe se bashkëpunimi ndërmjet ministrive kompetente është duke u zhvilluar.
“Dhe kjo është, pa dyshim, e dobishme për të dy vendet,” tha ai.
Putin i ka uruar Vuçiçit sukses në zgjedhjet e pranverës.
“Së shpejti do të keni zgjedhje, në pranverë. Dua t’ju falënderoj për vëmendjen që ju personalisht i kushtoni zhvillimit të marrëdhënieve ruso-serbe. Shpresoj që edhe votuesit në Serbi do ta vlerësojnë këtë. Ju uroj suksese në zgjedhje”, i tha Putin, Vuçiçit.

Nga ana e tij, presidenti i Serbisë vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë në histori.

“Mendoj se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë të mundshëm në histori dhe se po zhvillohen në të gjitha fushat. Siç e dini, ne jemi partnerë strategjikë dhe Serbia e konsideron këtë privilegj të saj. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të madhe për mbështetjen e vendit tonë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, theksoi Vuçiç.