Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit me Iranin, gjatë një darke private me Mbretin Willem-Alexander dhe Mbretëreshën Maxima, raporton The Wall Street Journal.
Sipas raportimit, Trump ka theksuar se mënyra e vetme për ta rikthyer Iranin në tryezën e negociatave është rritja e presionit ndaj Teheranit, duke sinjalizuar një qasje të ashpër pavarësisht synimit për një zgjidhje të shpejtë.
Konflikti u përshkallëzua pas operacionit të nisur më 28 shkurt nga SHBA-të dhe Izraeli kundër Iranit, ndërsa më 7 prill u shpall një armëpushim dyjavor mes palëve.
Në përpjekje për një zgjidhje diplomatike, përfaqësuesit e Iranit dhe SHBA-ve zhvilluan disa raunde bisedimesh më 11 prill në Islamabad. Delegacioni iranian u udhëhoq nga Mohammad Bagher Ghalibaf, ndërsa pala amerikane nga zëvendëspresidenti JD Vance.
Megjithatë, pas përfundimit të takimeve, të dyja palët konfirmuan se nuk ishte arritur një marrëveshje për një zgjidhje afatgjatë, për shkak të mosmarrëveshjeve të thella.
Ende mbetet e paqartë nëse do të zhvillohet një raund i ri negociatash, por administrata amerikane ka lënë të hapur mundësinë që bisedimet të rifillojnë sërish në Islamabad në ditët në vijim.
