Gazeta amerikane Washington Post raporton se Rusia dyshohet se ka ofruar fshehurazi Iranit të dhëna për pozicionet e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë anije luftarake dhe avionë, që nga fillimi i konfliktit fundjavën e kaluar. Burimet, të cilat folën nën kushtet e anonimitetit, theksuan se informacioni mund të ketë përfshirë të dhëna satelitore dhe inteligjencë ushtarake, duke ndihmuar Teheranin në goditjen e objektivave amerikane.

Nëse këto pretendime konfirmohen, do të tregonte një përfshirje indirekte të Rusisë në konflikt, pavarësisht deklaratave zyrtare të Moskës që e kanë cilësuar situatën si “agresion të armatosur të paprovokuar” dhe kanë bërë thirrje për përfundimin e luftimeve. Departamenti i Mbrojtjes dhe CIA e SHBA-së kanë refuzuar të komentojnë raportimet.

Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmet iraniane kanë synuar kryesisht radarë paralajmërimi të hershëm, infrastrukturën e komandës dhe kontrollit dhe objektiva të përkohshme ushtarake. Një nga sulmet goditi një objekt në Kuvajt, ku mbetën të vrarë gjashtë ushtarë amerikanë. Ekspertja ruse Dara Massicot vuri në dukje se sulmet iraniane janë bërë më të sakta, duke treguar për përmirësime të aftësisë goditëse të Teheranit.

Washington Post thekson gjithashtu se Rusia mund të ketë përfitime strategjike nga një konflikt i zgjatur mes SHBA-së dhe Iranit, si rritja e çmimit të naftës dhe shpërqendrimi i SHBA-së dhe Evropës nga lufta në Ukrainë. Megjithatë, zyrtarët rusë insistojnë se konflikti në Lindjen e Mesme “nuk është lufta e Rusisë” dhe prioriteti i Moskës mbetet situata në Ukrainë.