Presidenti i Kinës, Xi Jinping i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të forcojë bashkëpunimin me Pekinin, duke theksuar se Kina i trajton marrëdhëniet me BE-në me sinqeritet dhe vullnet të mirë, raportoi “Reuters”.
Gjatë një takimi në Pekin me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, Xi deklaroi se Kina e konsideron Bashkimin Evropian një partnere dhe se të dyja palët duhet të përqendrohen te interesat e përbashkëta, në vend që të theksojnë dallimet.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi duhet të ketë përparësi ndaj konkurrencës dhe se mosmarrëveshjet mund të zgjidhen përmes dialogut të barabartë.
Kreu i shtetit kinez shprehu gjithashtu besimin se Gjermania do të mbajë një qëndrim racional dhe pragmatik ndaj Kinës, duke luajtur një rol konstruktiv në zhvillimin e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Bashkimit Evropian.
Xi theksoi se Kina dhe BE-ja duhet të forcojnë komunikimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, si dhe të menaxhojnë siç duhet mosmarrëveshjet përmes dialogut.
Deklarata e presidentit kinez vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Pekinit dhe Brukselit, përballen me mosmarrëveshje tregtare dhe dallime lidhur me politikat ekonomike dhe industriale.
