Një person i tretë është nën hetim nga Autoritetet greke për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në kampingun në Finikounda. Siç raportojnë mediat greke njëri nga dy 22-vjeçarët e akuzuar dyshohet se e ka kontaktuar personin e tretë pak para vrasjes.

Konkretisht hetuesit zbuluan se kur dy të akuzuarit mbërritën jashtë kampingut para vrasjes, njëri prej tyre kontaktoi një person të tretë dhe ky person nga ana tjetër kontaktoi një të afërm të viktimës 68-vjeçare. Gjë që i shton një element tjetër hetimit të Policisë që është në kulmin e tij.

Çfarë zbulon vendi i krimit?

Ndërkohë, lindin boshllëqe dhe pikëpyetje nga akuzat e bëra në polici nga 22-vjeçari i cili u dorëzua sot në GADA dhe u arrestua si bashkëpunëtor në krimin brutal që ndodhi në kampingun në Finikounda me viktima pronarin 68-vjeçar dhe kujdestarin. Burri pretendoi para policisë se 68-vjeçari e kishte abuzuar seksualisht në vitin 2022 dhe se, për shkak të kësaj, donte t’i zhvaste para diçka që e kishte bërë edhe në të kaluarën. Ai i ka thëbë autorit të krimit të shkonin së bashku në kamping për të shantazhuar 68-vjeçarin dhe për të marrë para prej tij.

“Nuk doja që ai të vdiste, ne donim ta shantazhonim për të marrë para”, pohoi ai, duke shtuar se autori i tha pas vrasjes se 68-vjeçari nuk ishte vetëm dhe se ata e sulmuan, duke rezultuar në të shtënat. Megjithatë, nga vendi i krimit nxirren përfundime të ndryshme.

Të dy viktimat u qëlluan në zona kritike, gjë që tregon se autori nuk donte thjesht t’i plagoste, por t’i vriste. Gjithashtu, nipi i viktimës, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje, nuk e dëgjoi autorin të përmendte paratë. Pas vrasjes së dyfishtë, bashkëpunëtori 22-vjeçar raportoi se u largua nga vendi i ngjarjes vetëm dhe arriti të kalonte nga deti në Kalamata.

Hetimi për motivin

Megjithatë, burimet policore vlerësojnë se është veçanërisht e vështirë për një person të përshkojë rrugën e përshkruar nga i akuzuari. Gjë që i bën ata t’i trajtojnë akuzat me kujdes në përgjithësi dhe të vazhdojnë hetimin për të përcaktuar nëse pas krimit fshihet një tru që e ka organizuar krimin. Domethënë, dikush që “urdhëroi” vrasjen e dy burrave.

Por ai nuk e pranon përfshirjen e tij. Njëkohësisht, 22-vjeçari që u arrestua të martën pasdite si autor i krimit ka një qëndrim krejtësisht të ndryshëm. Deri më tani, i akuzuari nuk e ka pranuar përfshirjen e tij në këtë rast, megjithëse policia thuhet se ka prova inkriminuese kundër tij.

Si arritën në arrestimin e dy burrave

Çështja filloi të zbulohej këtë mëngjes kur bashkëpunëtori 22-vjeçar u paraqit vullnetarisht para autoriteteve dhe rrëfeu përfshirjen e tij në këtë rast. Siç raportuan burime policore për protothema.gr, dy burrat ishin identifikuar që nga e diela e kaluar, por për shkak se hetimi nuk kishte përfunduar ende, ata ishin nën mbikëqyrje.

Megjithatë, pas publikimit të fotos që i tregonte të dy në skuter, bashkëpunëtori vendosi të dorëzohej. Disa orë më vonë, policia vazhdoi arrestimin e autorit të dyshuar 22-vjeçar, ndërsa ai po dilte nga shtëpia e tij në Kallithea.