Irani ka bërë publike kushtet e tij për një marrëveshje të re paqeje me Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se propozimi i fundit i Teheranit përfshin disa kërkesa kyçe, mes tyre heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, zhbllokimin e fondeve të ngrira dhe përfundimin e bllokadës detare.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Teherani kërkon gjithashtu ndalimin e luftës në të gjitha frontet rajonale, përfshirë Libanin, si dhe tërheqjen e forcave amerikane nga zonat pranë territorit iranian. Në propozim përfshihet edhe kërkesa për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga lufta.
Burime pakistaneze të cituara nga Reuters bëjnë me dije se Pakistani ka ndërmjetësuar duke ia përcjellë SHBA-së planin iranian për paqe. Ndërkohë, një ministër pakistanez ndodhet në Teheran për bisedime diplomatike.
Nga ana tjetër, media amerikane Axios raportoi se Donald Trump pritet të zhvillojë një takim me ekipin e sigurisë kombëtare për të diskutuar opsionet e mundshme ushtarake dhe zhvillimet e fundit.
Vetë Trump deklaroi më herët nga Shtëpia e Bardhë se ka pasur një “zhvillim shumë pozitiv” dhe se palët janë pranë një marrëveshjeje që, sipas tij, do ta linte Iranin pa armë bërthamore.
Teherani vijon të mohojë akuzat se synon ndërtimin e një arme nukleare.
