Një hetim zbulues pretendon se ka zgjidhur çështjen e vrasësit “Zodiac” më SHBA dhe aktualisht është nën hetim nga FBI-ja.

Rasti i vrasësit “Zodiac” është një nga krimet më famëkeqe të pazgjidhura në historinë e SHBA-ve, të cilit i janë kushtuar mijëra artikuj gazetash dhe dhjetëra dokumentarë e filma, duke mbetur gjithnjë mister i pazgjidhur prej më shumë se gjysmë shekulli.

Vrasjet ndodhën në Kaliforni, midis viteve 1968 dhe 1969, kur një vrasës sadist shënjestroi çifte të reja në pjesë të ndryshme të zonës më të madhe të San Franciskos. Pasi kreu sulmet e tij të tmerrshme, autori i krimit u dërgoi mesazhe të koduara gazetave lokale, duke tallur autoritetet për pamundësinë e tyre për ta arrestuar. Është konfirmuar se ai sulmoi të paktën shtatë viktima, dy prej të cilave mbijetuan, ndërsa vetë mori përgjegjësinë për 37 vrasje të tjera në shtet.

Identiteti i autorit të krimit

Pavarësisht publicitetit që mori çështja, policia nuk ishte kurrë në gjendje të identifikonte një të dyshuar specifik, duke çuar në dyshime dhe teori konspiracioni të shumta gjatë viteve. Më e fundit prej tyre e lidh Vrasësin e Zodiakut me një tjetër rast të profilit të lartë në Kaliforni: vrasja e ‘Dahlias së Zezë’.

Sipas një studimi të ri të publikuar nga “MailOnline” hetuesit e pavarur besojnë se kanë gjetur prova që sugjerojnë se një burrë me emrin Marvin Margolis ishte përgjegjës si për vrasjen e Dahlia-s së Zezë, ashtu edhe për vrasjet e Zodiac. Dhe këto prova po shqyrtohen aktualisht nga FBI-ja.

Cilat janë të dhënat që e lidhin Marvin Margolisin me Vrasësin e Zodiakut?

Pretendimet vijnë nga studiuesi Alex Baber, i cili paraqiti një mori provash që ai beson se e lidhin Margolisin, i njohur edhe si Marvin Merrill, me të dyja rastet. Provat përfshijnë një shpatë që Margolisi e solli me vete nga shërbimi i tij në Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën Baber beson se është përdorur në vrasjen e dy viktimave të Zodiakut.

Disa prova e vendosin atë gjithashtu në zonën e saktë gjeografike në kohën e krimeve, si dhe në një rast tjetër që besohet të jetë i lidhur me vrasësin. Një tjetër provë që Baber citon është një skicë e vitit 1992, e një gruaje të zhveshur me emrin “Elizabeth”, e vizatuar nga Margolis. Duke pretenduar se është një rrëfim në shtratin e vdekjes, Baber thotë se shkrimi i dorës i ngjan atij të letrave të dërguara nga Vrasësi i Zodiakut.

Ai gjithashtu tregon shenjat në gjoksin e gruas, të cilat ai beson se janë të ngjashme me plagët e shkaktuara ndaj Elizabeth Short, lëndime që nuk u bënë publike deri pas vdekjes së Margolis në vitin 1994. Pjesa e fundit e skicës doli pas një përmirësimi dixhital të imazhit, i cili, sipas Baber, zbuloi fjalën “ZoDiac” të fshehur nën bojë.

“Është e pagabueshme. Është thjesht matematikisht e pamundur që të mos jetë ai. Me të gjitha këto lidhje, ai është ose njeriu më i pafat në historinë e botës, gjithmonë në vendin e gabuar në kohën e gabuar, ose është autori i krimit”, shtoi Baber.

Lidhja me vrasjen e “Dahlia e Zezë”

Margolis vdiq në Kaliforni në vitin 1993, pa u akuzuar kurrë në asnjërën prej këtyre rasteve. Rasti Zodiac nuk është i vetmi për të cilin Baber pretendon se Margolis është përgjegjës. Hetuesi gjithashtu beson se ai vrau Elizabeth Short, e njohur pas vdekjes si “Dahlia e Zezë”, në janar të vitit 1947, një rast që i paraprin vrasjeve të Zodiac, me më shumë se dy dekada.

Thuhet se Margolis e njihte Shortin para vdekjes së saj, me hetuesit që besonin se të dy kishin filluar një lidhje pasi u takuan në Çikago verën e kaluar. Në tetor të vitit 1946 , ata jetonin me miqtë në një apartament në Los Angeles. Megjithatë, marrëdhënia u prish, me Short që rrëfeu, sipas miqve, se kishte frikë se një ish-i dashur xheloz mund t’i rrezikonte jetën. Më 15 janar 1947, trupi i saj i gjymtuar u zbulua në një park në Los Angeles.

Çfarë ka thënë familja e Marvin Margolis në lidhje me akuzat?

Ndryshe nga pretendimet e Baber, djali i Margolis mohoi që babai i tij ishte përgjegjës për të dyja rastet. Duke e quajtur teorinë “një moçal spekulimesh”, ai i tha medias:

“Nuk besoj se e bëri im atë. Vrasja e Dalias së Zezë ndodhi 20 vjet para se të lindja unë. Do të doja që familjet të gjenin paqe në rastin Zodiac. Por nuk ka asnjë mënyrë që të ketë qenë im atë”.

Kush janë të dyshuarit e tjerë të vrasësit të Zodiakut?

Margolis nuk është emri i vetëm që është sugjeruar. Veterani i marinës Arthur Leigh Allen është konsideruar si i dyshuari kryesor për vite me radhë. Një tjetër emër është Gary Francis Poste, i cili u propozua në vitin 2021 nga një grup hetuesish të njohur si Case Breakers. Pavarësisht provave dhe të dyshuarve të shumtë, asnjë nga burrat e mësipërm nuk u akuzua kurrë për vrasjet dhe çështja e vrasësit Zodiac mbetet e pazgjidhur.