Lufta në Ukrainë ka sjellë jo vetëm pasoja në fushën e betejës, por edhe fenomene të reja sociale. Një prej tyre është ai i të ashtuquajturave “vejusha të zeza”, gra që dyshohet se martohen me ushtarë rusë pak para nisjes së tyre në front, me qëllim përfitimin e kompensimit shtetëror në rast se ata humbin jetën.
Sipas legjislacionit rus, familjarët ose përfituesit ligjorë të një ushtari të vrarë në luftë mund të marrin një kompensim prej 5 milionë rublash, rreth 64 mijë dollarë. Mediat dhe autoritetet ruse pretendojnë se në disa raste kjo skemë është shfrytëzuar përmes martesave fiktive të lidhura vetëm pak ditë para dërgimit të ushtarëve në Ukrainë.
Fenomeni ka shkaktuar reagime të forta, pasi familjet e ushtarëve pretendojnë se po humbasin të drejtën mbi përfitimet financiare që u takojnë.
Një nga rastet më të përfolura është ai i një infermiereje në një spital ushtarak, e cila u pushua nga puna pasi u akuzua se ishte martuar me pesë ushtarë të plagosur që ndodheshin nën kujdesin e saj, pak para se ata të ndërronin jetë, me synimin për të përfituar kompensimet.
Pas nisjes së luftës në vitin 2022, Kremlini thjeshtoi procedurat e martesës për rekrutët që dërgoheshin në front, si pjesë e politikave për mbështetjen e familjeve dhe promovimin e vlerave tradicionale. Megjithatë, sipas raportimeve, këto lehtësime kanë krijuar hapësira për abuzime.
Debati u rikthye edhe në vitin 2025, kur një agjente imobiliare në Siberi u filmua duke u sugjeruar grave të martoheshin me ushtarë që niseshin në luftë, duke argumentuar se kompensimi shtetëror do t’u mundësonte blerjen e një shtëpie. Pas reagimeve publike, ajo dhe prezantuesja e emisionit ku u bënë deklaratat u dënuan me punë në komunitet dhe kërkuan falje.
Ndërkohë, gjykatat ruse kanë shqyrtuar disa mosmarrëveshje mes familjeve të ushtarëve të vrarë dhe grave me të cilat ata ishin martuar pak para nisjes në front. Në disa raste, gjykatësit kanë refuzuar dhënien e kompensimeve, pasi kanë konstatuar elemente që ngrinin dyshime për martesa të rreme.
Gjithashtu, sipas raportimeve, janë ngritur akuza se në disa raste edhe pjesëtarë të forcave të armatosura ruse kanë ndihmuar në organizimin e martesave fiktive dhe në dërgimin e ushtarëve në misione me rrezik të lartë. Autoritetet ruse kanë njoftuar se kanë nisur hetime, por deri më tani nuk është bërë publik ndonjë përfundim zyrtar.
