Autoritetet në Holandë kanë konfirmuar rastin e parë të zbatimit të ligjit të ri që lejon eutanazinë për fëmijët e moshës 1 deri në 12 vjeç me sëmundje terminale.
Lajmi u bë publik nga ministrja e Shëndetësisë, Sophie Hermans, e cila informoi Parlamentin se një mjek kishte kryer procedurën ndaj një fëmije në gjendje terminale, në përputhje me kuadrin e ri ligjor që hyri në fuqi në vitin 2024.
Sipas autoriteteve holandeze, rasti është shqyrtuar nga komiteti i posaçëm përgjegjës për vlerësimin e rasteve të eutanazisë tek të miturit. Pas analizës së dokumentacionit dhe diskutimeve me mjekun e përfshirë, çështja i është përcjellë Zyrës së Prokurorit Publik, e cila do të vendosë nëse procedura është kryer në përputhje me ligjin.
Autoritetet nuk kanë publikuar detaje mbi identitetin, moshën apo sëmundjen e fëmijës.
Ligji i ri lejon eutanazinë vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur fëmija përjeton vuajtje të padurueshme dhe nuk ekziston asnjë mundësi përmirësimi të gjendjes shëndetësore. Në çdo rast kërkohet edhe miratimi i prindërve.
Sipas vlerësimeve zyrtare, numri i rasteve që mund të përfshihen në këtë kuadër ligjor pritet të jetë shumë i ulët, kryesisht për fëmijë me sëmundje të rënda kongjenitale ose patologji të pashërueshme.
Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, Holandë lejonte eutanazinë vetëm për të porsalindurit në raste specifike dhe për të miturit mbi moshën 12-vjeçare. Për grupmoshën 1–12 vjeç aplikoheshin vetëm trajtime paliative ose ndërprerje e kujdesit mjekësor.
Rasti i parë i raportuar pritet të hapë debat të gjerë publik dhe etik mbi kufijtë e ndërhyrjes mjekësore tek pacientët e mitur në fazë terminale.
