Një zbulim i jashtëzakonshëm shkencor ka tronditur botën e paleontologjisë në veri të Italisë, ku janë identifikuar mijëra gjurmë dinozaurësh, të datuara rreth 210 milionë vjet më parë. Gjurmët janë gjetur në Parku Kombëtar Stelvio, në një mur të pjerrët malor që shtrihet për qindra metra. Sipas studiuesve, disa nga gjurmët arrijnë deri në 40 centimetra diametër dhe janë të rreshtuara paralelisht, duke ruajtur qartë shenjat e gishtërinjve dhe kthetrave. Kjo sugjeron se dinosaurët lëviznin në tufa të organizuara dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Ekspertët besojnë se gjurmët i përkasin prosauropodëve, dinosaurë barngrënës me qafë të gjatë, kokë të vogël dhe kthetra të mprehta, të cilët mund të arrinin deri në 10 metra gjatësi. Ata zakonisht ecnin mbi dy këmbë, por në disa raste janë gjetur edhe gjurmë duarsh përpara shenjave të këmbëve, çka tregon se ndaleshin herë pas here për të mbështetur gjymtyrët e përparme në tokë.

Paleontologu me bazë në Milano, Cristiano Dal Sasso, e cilësoi zbulimin si të papritur dhe unik. “Kurrë nuk do ta kisha imagjinuar se do të ndeshesha me një zbulim kaq spektakolar në rajonin ku jetoj”, u shpreh ai, duke e përshkruar zonën si një thesar të jashtëzakonshëm shkencor.