Tensionet mes Shteteve te Bashkuara, Izraelit dhe Iranit duket se po hyjnë në një fazë të re përshkallëzimi, ndërsa mediat amerikane raportojnë për përgatitje intensive ushtarake në prag të një rifillimi të mundshëm të operacioneve kundër Teheranit.

Sipas një raporti të publikuar nga The New York Times, që citon dy zyrtarë nga Lindja e Mesme, Uashingtoni dhe Tel Avivi po koordinojnë skenarë të rinj ushtarakë për javën e ardhshme. Burimet theksojnë se bëhet fjalë për mobilizimin më serioz që prej armëpushimit të ndërmjetësuar nga Pakistan në fillim të muajit prill.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi para ligjvënësve në Kongres se administrata amerikane është duke shqyrtuar disa opsione në rast të përkeqësimit të situatës.

“Kemi një plan në rast përshkallëzimi. Kemi një plan edhe për tërheqje, nëse kjo bëhet e nevojshme. Gjithashtu ekzistojnë plane për zhvendosjen e aseteve strategjike”, u shpreh ai.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër Iranin, duke e akuzuar se po tërhiqet vazhdimisht nga marrëveshjet e dakordësuara gjatë negociatave.

“Sa herë arrihet një marrëveshje, ditën tjetër ata sillen sikur diskutimet nuk kanë ekzistuar kurrë”, deklaroi Trump në një intervistë për Fox News.

Sipas raportimeve, një nga pikat kyçe të negociatave lidhet me uraniumin e pasuruar iranian. Propozimi parashikon që materiali të transferohet nën kontrollin amerikan, ndërsa SHBA-ja do të merrte përsipër largimin e tij nga objektet nëntokësore bërthamore të Iranit.

Nga ana tjetër, Teherani ka reaguar me tone paralajmëruese. Zëdhënësi për sigurinë kombëtare në Parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, deklaroi se Irani mund ta çojë pasurimin e uraniumit deri në nivelin 90% nëse rifillojnë sulmet ushtarake.

Trump shtoi gjithashtu se preferon që uraniumi iranian të kalojë nën kontrollin amerikan, në vend që të mbetet “i groposur nën rrënojat e objekteve iraniane”.