Dokumente të deklasifikuara të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare i Universitetit George Washington kanë zbuluar se ish-presidenti amerikan Bill Clinton i kishte shprehur homologut rus Vladimir Putin, në vitin 2000, mundësinë që Rusia të shqyrtohej për anëtarësim në NATO.

Sipas procesverbalit të takimit të zhvilluar më 4 qershor 2000 në Kremlin, Clinton theksonte se zgjerimi i NATO-s nuk përbënte kërcënim për Rusinë dhe se vendi duhej të ishte pjesë e çdo organizate që synonte të bashkonte botën e qytetëruar. “E kam seriozisht diskutimin e anëtarësimit të Rusisë në NATO”, thuhet se ka deklaruar ai, duke shtuar se me kalimin e kohës një zhvillim i tillë mund të bëhej i pashmangshëm.

Clinton pranoi se në atë kohë kishte rezistencë të fortë brenda vetë Rusisë, ndërsa theksoi se NATO perceptohej ende negativisht nga populli rus. Megjithatë, sipas tij, vendet e Evropës Qendrore nuk ndiheshin të kërcënuara nga Moska, prandaj duhej ndërtuar një vizion i përbashkët për të ardhmen.

Nga ana tjetër, Clinton u shpreh i kënaqur me rifillimin e bashkëpunimit NATO–Rusi, duke kërkuar që të hartohej një perspektivë afatgjatë për sigurinë ndërkombëtare.

Ky zhvillim lidhet edhe me deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin në shkurt 2024, gjatë një interviste me Tucker Carlson, ku ai kujtoi se kishte pyetur Clintonin nëse Rusia mund të bëhej anëtare e NATO-s. Sipas Putinit, Clinton fillimisht e kishte konsideruar idenë të mundshme, por më pas, pas konsultimeve me ekipin e tij, e kishte cilësuar si të pamundur për momentin. Putin shtoi se një përgjigje pozitive në atë kohë mund të kishte hapur rrugën drejt një procesi të afrimit të Rusisë me Aleancën.