Dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë kanë hedhur dritë mbi kërkesa të rënda dhe të detajuara të financierit Jeffrey Epstein ndaj rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve, lidhur me sigurimin e vazhdueshëm të vajzave të mitura për qëllime shfrytëzimi seksual.
Publikimi i materialeve të reja nga hetimi i shumëpërfolur ka nxitur reagime të forta politike në SHBA dhe është shndërruar në një problem serioz për administratën e presidentit Donald Trump, për shkak të akuzave për vonesa dhe mungesë transparence në zbardhjen e plotë të çështjes.
Edhe pse një pjesë e madhe e dokumenteve mbetet e redaktuar, ato që janë bërë publike përfshijnë shënime hetimore, dëshmi dhe imazhe që tregojnë Epstein në shoqërinë e figurave të njohura ndërkombëtare, mes tyre ish-presidenti amerikan Bill Clinton, biznesmeni Richard Branson, si dhe artistë të famshëm. Në dokumente përmendet edhe Princi Andrew i Britanisë, i cili prej vitesh ka qenë i lidhur publikisht me këtë çështje.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, shënimet e FBI-së përshkruajnë preferenca specifike të Epsteinit lidhur me moshën dhe pamjen e viktimave, si dhe mënyrën se si funksiononte rrjeti që i siguronte ato. Dëshmitë tregojnë për periudha kur bashkëpunëtorët e tij përpiqeshin të plotësonin kërkesat e tij, ndërsa theksohet se viktimat ishin kryesisht adoleshente.
Ligji i miratuar nga Kongresi në nëntor e detyronte qeverinë federale të publikonte të gjitha dokumentet e paklasifikuara mbi çështjen Epstein. Megjithatë, deputetë demokratë dhe republikanë që sponsorizuan nismën kanë shprehur pakënaqësi, duke deklaruar se Departamenti i Drejtësisë nuk ka respektuar plotësisht frymën e ligjit, pasi shumë pjesë mbeten të errësuara pa shpjegime të qarta.
Kritika të forta ka pasur edhe nga udhëheqës demokratë, të cilët akuzojnë administratën Trump për përpjekje për të fshehur informacione që mund të implikojnë figura të fuqishme. Presidenti Trump, i pyetur nga gazetarët, nuk ka komentuar mbi publikimin e dokumenteve.
Jeffrey Epstein, i cili u arrestua në vitin 2019 dhe akuzohej për shfrytëzim seksual të qindra vajzave, vdiq në burg para se të përballej me gjyqin. Vdekja e tij, e cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje, vazhdon të ushqejë dyshime dhe teori të shumta. Deri më tani, e vetmja e dënuar në këtë çështje mbetet ish-partnerja e tij, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim me 20 vite burg.
Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se nuk priten aktakuza të reja nga dokumentet e publikuara deri tani.
