Të tjer detaje janë zbardhur në lidhje me autorin e vrasjes së aktivistit amerikan, Charlie Kirk.
Sipas mediave në SHBA, 22-vjeçari Tyler Robinsosn bëri shaka se “sozia” e tij e kishte shkrepur armën, ndërsa diskutonte aktin e rëndë në një bisedë private në rrjetin social “Discord” vetëm disa orë pas ngjarjes.
Ai nuk tregoi shenja pendimi në bisedat e “Discord” të zbuluara nga një ish-shok klase i shkollës së mesme. Përkundrasi, Robinson dukej se kënaqej nga vëmendja, duke shkëmbyer ‘meme’ me të njohurit e tij, ndërsa autoritetet përpiqeshin të gjenin personin përgjegjës.
“Tyler vrau Charlie-n!!!!”-, shkroi një përdorues të enjten pasdite, duke e etiketuar me shaka Robinson. Robinson iu kundërpërgjigj pothuajse menjëherë: “Sozia ime po përpiqet të më fusë në telashe”.
Këto komunikime u zhvilluan vetëm disa orë pasi FBI-ja kishte publikuar pamje nga kamerat e sigurisë që tregonin një të ri me syze dielli dhe një kapelë, duke ecur nëpër shkallët e Universitetit të Luginës së Utah, ku Kirk kishte mbajtur një fjalim.
Në atë pikë, i dyshuari ishte ende i paidentifikuar publikisht, por privatisht, Robinson tashmë po luante me të vërtetën.
Kur një përdorues tjetër bëri shaka rreth dorëzimit të Robinson për shpërblimin prej 100,000 dollarësh nga FBI-ja, ai u përgjigj me ironi: “Vetëm nëse marr një pjesë të pagesës”.
Biseda në “Discord”, e përbërë nga rreth 20 përdorues që njiheshin me njëri-tjetrin nga shkolla e mesme ose nga komunitetet online, u shndërrua në një dritare drithëruese në mentalitetin e të dyshuarit pas të shtënave.
“Unë në fakt jam Charlie Kirk. Doja të largohesha nga politika, kështu që falsifikova vdekjen time, tani mund të jetoj jetën e ëndrrave të mia në Kansas.”– shkroi më vonë Robinson.
Kirk, 31 vjeç, bashkëthemelues i “Turning Point USA”, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një eventi ku po diskutonte me të rinj.