Sipas një raportimi të “Daily Mail”, Rusia ka zbuluar një armë të re bërthamore që po cilësohet si më e frikshmja e ndërtuar ndonjëherë nga Moska.
Arma quhet “Poseidon”, një super-torpedë me energji bërthamore dhe me ngarkesë bërthamore, e aftë – të paktën në teori – të zhysë brigjet amerikane nën ujëra radioaktive.
Sipas burimeve perëndimore, “Poseidon” është projektuar për të vepruar në thellësi të mëdha, me qëllim që të shmangë sistemet e mbrojtjes detare dhe të shkaktojë cuname të përmasave katastrofike.
Raporti thekson se një shpërthim i tillë pranë brigjeve të SHBA-ve do të mund të zhyste qytete të tëra, përfshirë Manhattanin, nën ujëra të kontaminuara.
Publikimi i këtyre detajeve ka ngritur alarmin në Uashington, ndërsa sipas “Daily Mail”, zhvillimet e fundit kanë detyruar Presidentin Donald Trump të shqyrtojë “të paimagjinueshmen” në lidhje me balancën bërthamore dhe mbrojtjen strategjike të SHBA-së.
Rusia, ndërkohë, e ka paraqitur projektin si “armë të parandalimit strategjik”, por Perëndimi e sheh si një kërcënim serioz për sigurinë globale. /Top Channel/
