Raffaella Carrà kishte birësuar një djalë. Detaji për jetën private të ikonës së televizionit italian është zbuluar në formulimet e një vendimi gjyqësor.
“Kërkuesi tha se është djali i birësuar dhe trashëgimtari i vetëm ligjor i artistes së njohur”, thuhet në urdhrin e gjykatës civile të Romës, dhe “rrjedhimisht zotërues i të drejtave mbi imazhin, zërin dhe emrin”. Rrethanat dalin nga një dekret i 6 shkurtit të kaluar, në një çështje të lidhur me muzikalin teatror “Ballo ballo”.
Kërkesa është paraqitur nga Gian Luca Pelloni Bulzoni, i lindur në Ferrara në vitin 1964 dhe banues në Romë, ku drejton edicionet muzikore “Arcoiris”. Që nga viti 2001, ai ishte sekretar personal dhe menaxher i Carrà dhe një ndër personat më të afërt me të. Nga dokumentet rezulton se artistja, e ndarë nga jeta më 5 korrik 2021, e kishte birësuar. Një zgjedhje që i ka mundësuar të kërkojë të drejtat lidhur me imazhin, emrin dhe veprat e Carrà, ndërsa mes trashëgimtarëve figurojnë edhe nipërit e mbretëreshës së televizionit, fëmijët e vëllait të saj.
Fondacioni Raffaella Carrà konfirmon përmes një deklarate: “Zgjedhja e Carrà për të birësuar Pelloni Bulzoni kishte si qëllim të vazhdonte aktivitetin e saj dhe të çonte përpara në emrin e saj të gjitha nismat bamirëse që ishin të rëndësishme për të”. Pelloni Bulzoni tashmë e ka orientuar “angazhimin e tij drejt projekteve të shumta të solidaritetit”.
Detaji doli rastësisht nga një mosmarrëveshje me një kompani spanjolle, e përfaqësuar nga avokatja Rossella Bertipaglia, për muzikalin “Ballo ballo”, i bazuar në filmin e vitit 2020 të frymëzuar nga këngët e Carrà. Pelloni Bulzoni, i përfaqësuar nga avokatja Barbara Giaquinto, kishte kërkuar të bllokonte “realizimin dhe shfaqjen” e spektaklit pa pëlqimin e tij. Por gjykatësja nuk e pranoi kërkesën për pezullim: 36 shfaqjet ishin zhvilluar tashmë.
Në dokumente përmendet edhe një episod që djali i Carrà e konsideron fyes: me biletën shoqërohej “një dhuratë e përbërë nga patatina dhe Coca-Cola”, rrethanë që sipas tij, do të kishte “fyer kujtimin e nënës së tij”./La Repubblica
