Donald Trump ka shpallur se, sapo të marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, do të ndërmarrë hapa të shpejtë për të përfunduar luftën në Ukrainë dhe për të mbyllur konfliktin në Rripin e Gazës. Ai ka thënë se situata do të bëhet “kaotike” nëse grupi Hamas nuk liron pengjet deri më 20 janar, dita kur ai do të bëhet president i Shteteve të Bashkuara.
Aktualisht, dhjetëra persona, përfshirë amerikanë, mbahen peng nga Hamasi, një grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Trump ka paralajmëruar se, nëse pengjet nuk lirohen deri në datën e caktuar, përgjigja amerikane do të jetë “shkatërruese.” Ai shtoi se Hamasi duhet të kuptojë vetë pasojat e veprimeve të tij, por theksoi se ato do të jenë të rënda.
Kujtojmë se Trump ka marrë meritat për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban muajin e kaluar, përmes përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Francës.
Ndërsa planet e tij për Rripin e Gazës mbeten të paqarta, disa analistë sugjerojnë se Trump mund të përdorë presionin ushtarak ndaj Hamasit për të forcuar pozitat e tij. Disa pohojnë se ky mund të mos jetë një operacion më i ashpër sesa ai i Izraelit gjatë vitit të kaluar, por mund të përfshijë një element të ri, si një tkurrje të ndihmave humanitare.
Në anën tjetër, administrata aktuale e Presidentit Joe Biden po angazhohet për një shtim të ndihmave humanitare në Gazë dhe po punon deri në ditën e fundit të mandatit të tij për të arritur një armëpushim. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.