Arkeologët detarë francezë kanë hedhur dritë mbi një nga zbulimet më intriguese të viteve të fundit: një strukturë monumentale e fshehur nën ujërat e Bretanjës, që i përket periudhës rreth vitit 5000 p.e.s.. Bëhet fjalë për ndërtimin më të madh prehistorik nënujore të identifikuar ndonjëherë në Francë.
Struktura është një mur guri rreth 120 metra i gjatë, i shtrirë sot në afro 9 metra thellësi, por që në kohën e ndërtimit ndodhej pikërisht në vijën bregdetare, mes zonave që mbuloheshin dhe zbuloheshin nga batica. Studiuesit besojnë se ai shërbente ose si kurth për peshqit, ose si një barrierë mbrojtëse kundër rritjes graduale të nivelit të detit.
Në atë periudhë, maja perëndimore e Bretanjës – përfshirë ishullin Île de Sein – kishte një sipërfaqe shumë më të madhe tokësore. Me kalimin e mijëvjeçarëve dhe rritjen e nivelit të detit, ishulli është zvogëluar ndjeshëm, duke lënë strukturën të zhytur plotësisht nën ujë.
Muri ka një gjerësi mesatare prej 20 metrash dhe arrin deri në dy metra lartësi. Zhytësit kanë identifikuar gjithashtu monolite graniti, gurë të mëdhenj të drejtë, të vendosur në dy rreshta paralelë në intervale të rregullta. Sipas arkeologëve, këta gurë ishin të fiksuar fillimisht në shkëmbin bazë, ndërsa muri u ngrit më pas rreth tyre me pllaka dhe gurë më të vegjël.
Nëse struktura ka funksionuar si kurth peshkimi, monolitet me gjasë shërbenin si mbështetje për një sistem rrjetash të ndërtuara me dru dhe degë, të cilat mbanin peshqit të bllokuar ndërsa uji tërhiqej gjatë baticës.
Me një peshë totale të vlerësuar rreth 3,300 tonë, kjo vepër dëshmon për ekzistencën e një komuniteti të madh, të organizuar dhe teknikisht të aftë. Fakti që struktura ka mbijetuar për afro 7,000 vjet tregon se ajo ishte ndërtuar me një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Sipas arkeologut Ivan Paiger, muri mund të jetë ndërtuar nga grupe gjuetarësh-mbledhës që po kalonin drejt një mënyre jetese më të qëndrueshme, ose nga komunitete neolitike bujqësore që mbërritën në Bretanjë rreth vitit 5000 p.e.s. Studiuesit sugjerojnë gjithashtu një transferim njohurish mes popullatave mezolitike dhe atyre neolitike, veçanërisht në teknikat e nxjerrjes, përpunimit dhe transportit të gurëve.
Zbulimi u bë i mundur falë analizës së hartave batimetrike dhe përdorimit të teknologjisë moderne të radarit nga gjeologu Yves Fouquet. Siç u raportua edhe nga gazeta Le Monde, forma e rregullt që bllokonte një luginë nënujore nuk mund të ishte rezultat i proceseve natyrore. Zhytjet e para u kryen gjatë verës së vitit 2022, ndërsa dokumentimi i plotë u realizua në dimrin pasues, kur bimësia detare ishte zhdukur përkohësisht.
Studiuesit theksojnë se braktisja e kësaj zone, e kombinuar me përmbytjen graduale të tokës, zhdukjen e vendbanimeve dhe humbjen e strukturave të peshkimit, ka të ngjarë të ketë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të banorëve. Këto përvoja dramatike mund të jenë transmetuar brez pas brezi, duke u shndërruar me kalimin e kohës në mite dhe legjenda për toka të humbura dhe detin që përpiu gjithçka.
