Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat miliarda dollarësh në Marok vetëm një ditë para arrestimit të tij në korrik 2019, sipas dokumenteve të publikuara muajin e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Sipas dokumenteve, Epstein kishte ndjekur prej vitit 2011 blerjen e pronës së njohur si Bin Ennakhil, por mosmarrëveshjet me shitësin për çmimin dhe kushtet e kontratës kishin zgjatur për vite me radhë.
Pallati ndodhet në zonën ekskluzive Palmeraie në Marrakesh dhe përshkruhet si një kryevepër arkitekturore, e ndërtuar nga rreth 1,300 artizanë, me gdhendje dhe mozaikë të zbukuruar.
Më 5 korrik 2019, një ditë para arrestimit të tij në Nju Jork për akuza të abuzimit seksual, Epstein nënshkroi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh, pas një marrëveshjeje për të blerë kompaninë offshore që zotëronte pronën për 18 milionë euro.
Sipas dokumenteve, kjo ishte lëvizja e tij e fundit e madhe financiare para arrestimit nga autoritetet amerikane. Tre ditë më pas, kontabilisti i tij, Richard Kahn, anuloi transfertën dhe blerja nuk u finalizua kurrë.
Maroku nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-në, çka ka nxitur spekulime në mediat lokale se blerja mund të kishte si qëllim krijimin e një strehë të mundshme për të shmangur arrestimin në rast të ngritjes së akuzave të reja.
Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i Epstein, i paidentifikuar, ka deklaruar se transaksioni tregon se ai “nuk kishte asnjë ide” për arrestimin e afërt. Sipas tij, nëse do të mendonte për një vendstrehim, “do të kishte kuptim të zgjidhte një vend ku mund të jetonte ende si një mbret”.
Dokumentet e publikuara nuk përmbajnë prova që Epstein ta ketë diskutuar Marokun si strehë për t’iu shmangur drejtësisë amerikane.
Lidhjet e Epstein me Marokun datojnë që nga fillimi i viteve 2000. Në kujtimet e saj, Virginia Giuffre ka rrëfyer se ishte dërguar me avion në Tangier nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell për të inspektuar dizajnin e brendshëm të disa pronave luksoze.
Në atë periudhë, Epstein thuhet se kishte interes për të ridizajnuar pjesë të rezidencës së tij private në një stil maroken, shkruan BBC.
Në vitin 2002, ai mori pjesë në dasmën e mbretit të Marokut, Mohammed VI, së bashku me Maxwell, me ftesë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton. Pas dënimit të tij në vitin 2008 për nxitje prostitucioni me të mitura dhe lirimit nga arresti shtëpiak në vitin 2010, interesimi i tij për Marokun duket se u shtua.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2010 ai i kërkoi ish-ministrit britanik Peter Mandelson t’i gjente një asistent që mund t’i siguronte një shtëpi në Marrakesh. Që nga viti 2012, Epstein bëri vizita të rregullta në Marok, duke qëndruar në zonën Palmeraie, ku jeton një komunitet i pasur ndërkombëtar.
