Një operacion ushtarak i zhvilluar nga qeveria meksikane, i cili përfundoi me vrasjen e një prej trafikantëve më të fuqishëm të drogës në vend, është realizuar me mbështetjen e inteligjencës amerikane.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar informacione kyçe për realizimin e operacionit, i cili u njoftua zyrtarisht edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Meksikës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti Donald Trump ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të prerë kundër karteleve të drogës. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që personat që dërgojnë droga vdekjeprurëse në territorin amerikan të përballen me drejtësinë.
Në aksion mbeti i vrarë Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, i njohur me nofkën “El Mencho”, një nga figurat më të rëndësishme të trafikut të drogës në Meksikë.
Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka intensifikuar fushatën kundër trafikut të drogës, duke përfshirë operacione ushtarake ndaj anijeve të dyshuara për transport narkotikësh në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor, si dhe duke rritur presionin ndaj autoriteteve meksikane për të goditur strukturat e karteleve.
