Është zbuluar këtë të enjte shkaku i vdekjes së ish-kampionit të botës në boks, Ricky Hatton, i njohur me nofkën “The Hitman”.

Legjenda britanike u gjet i pajetë në banesën e tij në Hyde, Greater Manchester, më 14 shtator, ndërsa policia ka konfirmuar se vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.

Gjatë seancës së parë të hetimit, në Gjykatën e Koronerit në Stockport, u bë e ditur se shkaku paraprak i vdekjes ka qenë varja. Hetuesit sqaruan se Ricky ishte parë për herë të fundit nga familjarët më 12 shtator, në gjendje të mirë.

Dy ditë më vonë, menaxheri i tij, Paul Speak, shkoi në banesën e boksierit për ta shoqëruar drejt aeroportit të Manchesterit, ku ata do të niseshin për në Dubai. Ai e gjeti Hatton-in pa ndjenja, dhe menjëherë thiri shërbimet e urgjencës, sipas deklaratës së tij.

Speak, ishte në një seancë të shkurtër 10-minutëshe të hetimit këtë të enjte në mëngjes, por familja e tij nuk mori pjesë. Seanca u shty deri më 20 mars.

Në vitin 2023, boksieri foli për jetën e tij personale dhe betejat e vazhdueshme me shëndetin mendor në një dokumentar të Sky News.

Hatton ishte luftëtari më i popullarizuar britanik i epokës së tij dhe dhjetëra mijëra tifozë e ndoqën atë në Las Vegas për ndeshjet e tij më të mëdhe.

“The Hitman” fitoi titullin botëror me një fitore ndaj favoritit Kostya Tszyu në vitin 2005 dhe vazhdoi të luftonte me legjendat e të gjitha kohërave si Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao, ku humbi në fund.

Në korrik, ai njoftoi se po rikthehej për një ndeshje në dhjetor në Dubai, 13 vjet pas ndeshjes së tij të fundit.

Ndërkohë, mijëra njerëz dolën në rrugët e Mançesterit javën e kaluar, të cilët bënë homazhe në nder të tij. Në homazhe morën pjesë edhe persona të njohur, si Liam Gallagher, Andreë Flintoff, Ëayne Rooney dhe Tyson Fury.