Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një grua u arrestua për mizori dhe neglizhencë ndaj kafshëve, pasi mbi 200 kafshë të mbyllura në kafaz dhe një grua 95-vjeçare u gjetën duke jetuar në një shtëpi mes jashtëqitjeve e mbeturinave. Samantha Boyd, 57 vjeç, punonjëse rehabilitimi e kafshëve të egra, u prangos së bashku me partnerin e saj, Neal Weschler, 61 vjeç.
Policia zbuloi kafshë të mbyllura në kafaz dhe një grua të moshuar të bllokuar midis grumbujve të plehrave në shtëpinë e çiftit. Kafshët, duke përfshirë gjela, ketra, rosa, pëllumba, lepuj, sorra, pata, papagaj, derra të Guinesë, iriqë, mace, qen, breshka e gjela deti, jetonin në kafaze që nuk pastroheshin, me ushqim dhe ujë në kushte johigjienike, si dhe ishin jashtëzakonisht të mbipopulluar.
Autoritetet e Qarkut Suffolk thanë se e bënë zbulimin pasi morën një ankesë për një numër të mundshëm jonormal kafshësh në shtëpinë e Boyd-it, në Fort Salonga Road. Zyrtarët shpjeguan se pjesa e brendshme e shtëpisë ishte e mbushur me insekte, merimanga e parazitë dhe grumbullimi i mbeturinave nga dyshemeja në tavan, disa zona i bënte “të pakalueshme”.
Boyd e Weschler akuzohen për mizori ndaj kafshëve dhe rrezikim të një të rrituri të cënueshëm. Ekipi i Sigurisë Biologjike, Mjedisore e Kafshëve pranë Prokurorit të Qarkut koordinoi shpëtimin e kafshëve me disa organizata jofitimprurëse. Shumë prej tyre do të jenë të disponueshëm për birësim, pasi të trajtohen me kujdesin e duhur e të munguar prej kaq shumë kohësh.